Thursday, 22 June 2017

Një korçar i shkëlqyer


Votimet (dhe jo vetëm ato) më sjellin në mendje Piro Kasatin, trajnerin e famshëm, por mbi të gjitha një korçar i devotshëm në çdo qelizë të tij.
Pirua rrinte larg politikës, por kishte opinionin e tij për gjithshka dhe nuk nguronte ta shprehte, pa dorashka dhe me një humor të jashtëzakonshëm. Kishte humorin tipik korçar të viteve ’30, që për mendimin tim është shkalla më e lartë e humorit në Shqipëri, por që degradoi keq në Estradën e Korçës të kohës së Diktaturës.
Gjatë referendumit të famshëm të Sali Berishës të vitit 1994, Kasati ka bërë komentet satirike më të goditura, për një fushatë me “lule në thile”, që “Saliu e nisi duke vënë trendelina dhe e bitisi me lule basani, se e përdorte edhe për gargarë, kur i ngjirej zëri”.
Kishte një humor pozitiv e të shëndetshëm, ashtu si ishte edhe vetë, optimist për të arritur të pamundurën. Do duhen faqe të tëra për të rrëfyer një pjesë të anekdotave të tij jetësore dhe të batutave, që përsëri nuk mund të kenë tingëllimin plot gaz, si të treguara nga vetë Piroja.
Do kisha dashur të ishte ende mes nesh dhe ta dëgjoja, kur të komentonte edhe fushatat qesharake elektorale të këtij viti.
Kasati ishte nga ata njerëz, që këtej i cilësojnë “larger than life”(më të mëdhenj se jeta). Dhe në qendër të jetës së tij, më shumë se çdo gjë tjetër ishte Korça dhe Shqipëria.
Ndoshta Parkut Olimpik të shumëpërmendur, është mirë, që në vend ta quajnë me emra bosh si “Planeti”, t’i venë emrin e Piros. Salla e mbuluar e atletikës, që nuk arriti të përfundohej dhe po rindërtohet tani ishte investim i siguruar vetëm nga Piroja, në sajë të sukseseve ndërkombëtare të arritura nga Pavlina Evro dhe vajzat e tjera.
Pirua ishte sinonimi i sportit, kulturës, humorit dhe atdhedashurisë.
Sigurisht, që nuk ishte “i bindur” dhe mund të krijonte edhe probleme me autoritetet, si në atë kohë, por edhe sot.

Ishte një korçar i shkëlqyer, që vinte Korçën mbi gjithshka.

No comments:

Post a Comment