Tika na priti bujarisht dhe na tregoi për disa orë Podgoricën,
që dukej e ndërtuar mirë dhe kishte një jetë të gjallë edhe pse nën embargo. Në
mbrëmje na përcolli në stacioni duke këmbëngulur të qëndronim në Beograd në disa miqtë e tij. Fliste me superlativa për sërbët.
Në treni, prisnin edhe grupe të rinjsh, gjysëm të dehur, që këndonin këngë
patriotike dhe thyenin shishe me alkohol. Na spjegoi, që ishin të rinj malazezë,
që shkonin ushtarë dhe përcilleshin nga shokët e tyre dhe të kënduarën e të
dehurën para nisjes për në ushtri e kishin traditë. Mu dukën disi barbarë.
Gjitthnjë i kam urryer ushtritë dhe luftrat. Nuk arrij të kuptoj edhe sot, se çfarë
i motivon të rinjtë në vendet perëndimore, ku shërbimi ushtarak nuk është i
detyruar, të futen në ushtri.
Udhëtimi me tren ishte diçka më shumë se 10 orë, por duke qënë
qershor, nata ishte shumë e shkurtër dhe arrita të shikoja peisazhin e vendeve
ku kalonte treni. Pak qëndra të mëdha të banuara! Mendova se ky ishte një nga
problemet në rrënjët e Ballkanit. Njerëz të mirë, punëtorë, por lehtësisht të
manipulueshëm.
Beogradi ishte një qytet i vdekur. Embargoja dukej, që e kishte
bërë efektin. Në restorantet përgjatë Savës, ishin të pakët ata, që drekonin e
darkonin. Në kthim morrëm avionin për në Podgoricë dhe në aeroport ishin a nuk
ishin 20 vetë. Sërbija nën embargo dukej e mbaruar, por e qetë, ndërsa Shqipërija
e qershorit 1997, thuajse në kaos, por e gjallë. Një gjallëri e çmendur.
Kishim kaluar intervistën e emigrimit dhe pas disa muajsh do
merrnim vizat për të ikur në Kanada. Ishte një lloj ndjenje shpëtimi e përzjerë
me keqardhje për jetën e lënë në vendin tonë. Gjithsesi ishte një lloj rrugëdaljeje
nga ai kaos ku ishim futur të gjithë me dashje dhe padashje. Nuk mund të fajësonim
për këtë vetëm Berishën. Ai kishte vërtet pjesën më të madhe të fajit, por një
vit më parë, në mes të zgjedhjeve opozita ishte larguar duke na lënë pa opozitë
për një vit të tërë. Thuajse të gjithë kishim rënë prehë e një ëndrre të çmendur
për të fituar lehtësisht para duke i futur në firmat. Te gjithë. Vullnetarisht.
Në rradhë.
Një pjesë (ata më militantët) kishin marrë pjesë aktive në përhapjen
e thashethemeve “ata po vijnë“, “nesër do hapen depot”, “merrni nga një armë për
të mbrojtur kokën”.
Natën (apo netët) e hapjes së depove dhe rënies së shtetit,
mes atyre që kishin mësyrë të rrëmbenin televizorë, thasë me miell, armë,
fishekë, paisje elektro-shtëpijake, dinamit, e plot të tjera, ishin parë edhe mësues,
farmacistë, agronomë, nëpunës. Njerëz, që kishin hesape për të larë, kishin
vrarë. Njerëz të tjerë, më të dobët nga karakteri, qarkullonin me kallashnikovë
në makinë dhe “dërgonin mesazhe frike” tek ata, që nuk ju kishin plotësuar dëshirat
për të rrëmbyer.
Kujt i shtinin?
Perëndisë?
Atë kishin vite, që nuk e besonin!
(vijon)
No comments:
Post a Comment