E titullova këtë shkrim pa emrin e teatrit, sepse ka shumë
vjet, që e quaj të palogjikshme, të mbajë emrin e Andon Zako Cajupit, (që nuk e
lidh gjë me Korçën) në një kohë , kur edhe teatri i Gjirokastrës ka të njëjtin
emër. Personalitete të teatrit dhe varietesë, korçarë dhe me origjinë korçare
ka me dhjetra, duke filluar me vëllezërit Belushi, Viktor Eftimiun, Sokrat Mion,
Eleni Qiricin, Pandi Raidhin, Mihallaq Luarasin dhe duke përfunduar me Pirro
Manin,Vangjush Furxhiun, Ruxhdi Pulahën e të tjerë. Duhet një ndryshim, i cili
mund të shoqërohet edhe me veprimtari të tjera, përveç festivalit KOKO.
Teatri ka dhe faqen e tij në Wikipedia, shumë të shkurtër, që
për çudi në të vetmin paragraf ka edhe fjalinë “Today there are famous actors and directors such as: Zamira
Kita, Sotiraq Bratko and Qendrim Rijani.”
I njoh dy “të famshmit” Bratko dhe Kita, por nuk di se cili
eshte Qëndrim Rijani.
(E hapa Wikipedian për të kontrolluar vitin e ndërtimit, se
rreth tetarit si ndërtim, dua të hedh disa rrjeshta.)
U ndërtua në fundin e viteve ’50, si kino-teatër, me një
projekt sovjetik, se në atë kohë edhe në Institutin e Projektimeve në Tiranë
nuk kishte arkitektë, që të kishin përvojë në projektimin e tetrove dhe
kinemave. I njëjti projekt u zbatua edhe në Vlorë dhe ka mbetur nga jashtë në të
njëjtën gjendje, sipas një neo-klasiçizmi të thatë sovjetik.
Ndërtimi edhe pse një vëllim i madh dhe me thyerje
interesante, që japin mundësi për arkitektët, të krijojnë vepra të larmishme,
ishte i trajtuar si një fasadë plan, simetrike dhe aspak ndjellëse. Më
interesant ishte kinemaja “Majestik” e projektuar dhe zbatuar 30 vite më parë
edhe pse me fasadë-plan.
Në fund të viteve ’60, sipas idesë të Todi Lubonjës për “modernizimin”
e fasadës, u bë ndërhyrja e parë në arkitekturën e teatrit. Nuk jam i sigur, nëse
projekti ishte i Koço Koçiut, i cili ishte e vetmi projektues, që mbulonte
arkitekturën në Korçë në ato vite. Trajtimi i ri i fasadës, të krijonte përshtypjen
e një vëllimi të madh, por duke qënë vetëm
ndërhyrje në një plan, nuk mund të bënte më shumë se krijimin e një holli të
ndriçuar dhe mbulimin e hyrjes me një “pensola” të madhe, të mbajtur
asimetrikisht me një kollonë në njërin krah. Objekti u lidh edhe me dy pasazhe
me banesat ngjitur, dhe njëri krah i shërbente teatrit si sallë provash.
Fasada e re, nuk u prit keq nga opinioni, sepse e para nuk
kishte asnjë element të përbashkët me arkitekturën e Korçës dhe sidomos me ndërtimet
përreth. Atë kohë ishte ndërtuar edhe hotel turizmi, që ishte gjithashtu
asimetrik ne konceptim. Deri atë kohë, teatri e ruajti edhe funksionin si
kinema dhe herë herë përdorej si e tillë.
Nga sa kam biseduar me drejtuesit e teatrit në vitet ’80, ai
kishte mangësi në ambjente ndihmëse , sidomos në dhoma për aktorët. Gjithashtu
mungesat e vendeve për vendosje projektorësh, kishin qënë të dukshme, që më parë,
ndaj dy anët e ballkonit, përdoreshin si vende ndriçuesish të skenës. Përgjithësisht
atij i mungonin ambjente për prapavijë, për të pasur shfaqje të shumëllojshme
dhe të nivelit. Për këtë, në fundin e viteve ’80 ju akordua një fond për shtesë.
Ishin vitet e fundit të diktaturës dhe gjendja e materialeve të ndërtimit ishte
më e dobët se kurrë. U mora me atë projekt, që u realizua pjesërisht dhe
kujtoj, që mungonte tërësisht projekti i parë rus. Nuk gjendej as në arkivat e
Ndërmarjes së Ndërtimit. Po atë vit, bënim
ecejake me të ndjerin Stavri Shkurti në zdruktarinë “Midhi Kostani”, për të
siguruar në kohë poltronat e reja të teatrit, të cilat ndoshta mbetën deri në
rikonstruksionin e fundit.
Teatri i Korçs ka patur disa periudha të lavdishme, kulmi i të
cilave ka qënë fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, kur regjisor ishte
Mihallaq Luarasi.
Rikonstruksioni i fundit, e gjen teatrin në pikën më të ulët
të tij, duke nisur me nivelin e aktorëve dhe duke përfunduar tek drejtuesit artistikë.
Megjithatë, një rikonstruksion ka qënë i domosdoshëm dhe ndoshta i kudogjenduri
Pit Uillsën, ka gabuar më pak këtë rradhë.
Gjithsesi, më duhet të kërkoj ndjesë ndaj Qëndrim Rijanit,
talentin e të cilit nuk kam pasur rastin ta shoh, se sa për ”të famshmit”
Bratko dhe Kita, që merren edhe me politikë, e di se sa ju vlen “lëkura e tyre
artistike”.
No comments:
Post a Comment