Monday, 19 June 2017

Putanat plaka

Qëlloi të vizitoja Parisin, për herëtë parë, kur zhvillohej fushata elektorale për President e vitit 2007. Qyteti ishte i mbushur me postera. Për mua është qyteti më i bukur në botë dhe nuk më “hynin në sy” posterat elektorale. Por ndërsa kaloja në një rrugë, që quhej nga vendasit “rruga e turqve”, pashë disa prostituta të shkuara në moshë, që prisnin në mes të ditës “gjahun” e tyre. Nuk kisha parë gjë të ngjashme në ato qytete perëndimore, që kam vizituar. Ndërsa zbrisja poshtë rrugës për të shkuar drejt Senës, sepse në mendje, pamja e tyre “surreale” u lidh me kandidatët për President të Francës. Kështu lindi poezia “Putanat plaka”, e përfshirë në përmbledhjen me poezi “Endem”, që më duket se  shkon në çdo fushatë  elektorale.


Ato shfaqen ditën,
Veshur çuditshëm,
            Me flokët “ala garson”
Në rrugën që zhurrmon nga turqit;
Në rrugën ku gjithkush shkon.

Njëra duket si manekin
Me dorën mbështetur tek vitrina,
Sytë e tejlyer
            Dhe gjoksin nxjerrë.
Të vdekur i ka sytë;
Nuk di më sheh mua
            Apo kërkon të tjerë.

Dy të tjerat më poshtë
Me fundet e shkurtër,
            Por barkun mbuluar
Të fshehin të lindjeve shenja.
Thua fëmijët e rritur
I bëjnë të ndjehen më pak të denja.

Për kë votojnë putanat,
Putanat e gjora, mplakur në trotuar?
(Për vota klithin kandidatët
Shqyejnë shoq’-shoqin
            Në të nderit Pazar.)

A thua jeta i ka dërmuar,
A ndoshta s’kanë më besim;
Disa klientë i kanë patur,
Ndaj s’shkojnë kurrë në votim?

Mos ndoshta mbrëmjeve
            Përgjumur,
                        Lodhur,
Kur tmerri, frika
            S’ka fund,
                        S’ka anë,
Në dhomat pisë,
            Jo mirë ngrohur
Thonë:

            “Kjo jetë është putanë!”?

No comments:

Post a Comment