Ishin dy shkrime në internet, aspak të lidhur me njëri
tjetrin, por që më sollën në mendje marëdhëniet tradicionale të Korçës me
Greqinë dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen. Shkrimi i parë, bënte fjalë për
komente të ministrit të jashtëm grek rreth marëdhënieve të sotme (jo të mira)
me Shqipërinë, gjatë një fjalimi në Universitetin e Kozanës.
I dyti, ishte intervista e një të moshuare me origjinë nga
Leskoviku, që ishte arrestuar nga gjermanët në magazinat e partizanëve në Osojë
dhe pasi kishte kaluar javë në burgun e Selanikut bashkë me 4-5 vajza të tjera,
ishte dërguar në kampet e përqëndrimit. Ajo dëshmonte jo vetëm për
solidaritetin e grave greke në burg, por për ndihmat dhe vizitat e shpeshta, që
ju bënin banorët e Selanikut për t’i ndihmuar materialisht dhe shpirtërisht.
Nuk prirem të besoj politikanin Kocias, sepse e di , që i përket
të njëjtës racë të ndyrë të politikanëve të Ballkanit, por e besoj plotësisht dëshminë
e gruas nga Leskoviku, që dikur ishte internuar sepse ndihmonte forcat
nacional-çlirimtare.
Marëdhëniet e trevave të Korçës me Greqinë, kanë pasur ulje
dhe ngritje, si kanë gjithmonë marëdhëniet mes fqinjëve gjaknxehtë, zemërakë, të
panxënë dhe fodullë. Në periudha të zhvillimit të njërës anë, arroganca është
shtuar tek “më zengjini”, e megjithatë, me ta kemi bërë tregëti, kemi ngrënë dhe
pirë dhe kemi lidhur edhe krushqira.
Për Korçën Greqia dhe sidomos pjesa “maqedonase’ e saj ka qënë
shumë e rëndësishme dhe anasjelltas. Në perëndim të Selanikut, Korça është
qyteti me popullsinë më të madhe ndaj është i rëndësishëm edhe për ekonominë e
Greqisë Veriore.
Por ka edhe një faktor tjetër shumë të rëndësishëm për
Qarkun e Korçës, që lidhet me shtetin fqinj. Mbi 40 mijë korçarë, kolonjarë,
devollinj jetojnë në Greqi. Shumë prej tyre kanë marrë edhe nënshtetësinë
greke, por kjo nuki bën më pak shqiptarë dhe as më pak të interesuar për
ngjarjet në Shqipëri dhe sidomos për marëdhëniet me shtetin grek.
Në mënyrë të pajustifikuar (për të mos e quajtur absurde), në
4 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, marëdhëniet me Greqinë kanë shkuar në pikën
më të ulët të 20 viteve të fundit. Pa dashur të shfajësoj qeverinë e Cipras-it,
që nuk ka se si të shpëtojë nga dritshkurtësia dhe megalomania, që kanë qënë
karakteristika të diplomacisë greke në marëdhëniet me fqinjët, përsëri, vetë
fakti, që ekonomia greke është prej një kohe të gjatë në krizë, e bën Greqinë më
pak arrogante.
Por arroganca (kjo karakteristikë thelbësore e Ramës), ka
karakterizuar tashmë marëdhëniet tona me fqinjin lindor. Vizitat e nivelit të
lartë kanë munguar tërësisht dhe Rama “flirton” hapur me Erdoganin, duke i lënë
të kuptojë Greqisë, se mund të vihet në “një darë“ edhe në lindje edhe në perëndim.
Edhe pse ne nuk kemi pse të armiqësohemi me Turqinë, pasi interesat kombëtare e
duan një marëdhënie të mirë me të, “armiqësimi” me Greqinë, që jo vetëm është
fqinj më i afërt, jo vetëm që është një antar i Bashkimit Europian, por është
edhe atdhe i dytë për mijra shqiptarë është joproduktiv dhe i dëmshëm, por do e
quaja edhe antishqiptar.
Eshtë e lehtë t’ju biesh “daulleve të nacionalizmit” dhe të
bësh njerzit të ndjehen të rëndësishëm edhe pse shumë herë marrin ushqime me
listë. E ka bërë për 45 vjet Enver Hoxha. Korçarët, që jetojnë në Greqi (dhe jo
vetëm ata) e dinë se sa e rëndësishme është për ta që marëdhëniet me Greqinë të
jenë të shkëlqyera. “Hakmarrja” ndaj arrogancës së grekëve që shprehej në
operacionet “Fshesa”, ajo e “prishjes së kompjuterave në kufi” për ditë të tëra,
e përbuzjes së “allvanosëve”, me të njëjtën monedhë është hakmarrje primitive.
Nuk është aspak e rastit, që ka një rritje të mbështetjes
ndaj LSI-së në Korçë. Edhe pse e dinë se cili është Ilir Meta, ka shumë korçarë,
që vlerësojnë prirjen e tij për marëdhënie të mira me Greqinë.
Por këtë gjë, nuk është në gjendje t’ja spjegojë
aventurierit Rama, as Niko Peleshi, që personalisht ka pasur dhe ka marëdhënie
shumë të mira me fqinjët tanë.
Në qarkun e Korçës nuk ka pasur kurrë as edhe një fshat të
vetëm me popullsi greke.
Por grekët, me të mirat dhe dobësitë e tyre, i kemi mirëpritur
në sofrat tona dhe po ashtu na kanë mirëpritur edhe ata. E di që Edi Ramës nuk
i bëhet vonë për këtë, por ndoshta do i bëhet vonë kur të shikojë, që do i
firojnë votat në Korçë.
Po ik o Naumaq se le nam. Tani po behesh expert edhe ne politika e jashtme apo "keshtu I do mushka drute"
ReplyDeleteMe mente tend o byrazer ta fut greku e s'thote as falemderit..