Në këtë kohë duhet të ketë qënë 8 vjet më parë. Mesjetologu
ynë i shquar i letrave, me siguri do e lidhte me solsticin, me konfliktin në
Dafur, me shkëputjen e akullnajës A16 nga brigjet perëndimore të Groenlandës,
por unë mund të përmend vetëm faktin, që në qershor të vitit 2009, dikush e
solli në vithe të kalit apo në ndenjësen e ngushtë të një avioni “Kashein e
Pavdekshëm”.
Nuk ka të bëjë aspak me mitin e njohur të Dhoqinës, e cila
ishte e trevave tona dhe e kishin martuar larg. Pitë Uillsën ndoshta nuk kishte
dëgjuar kurrë për Korçën deri sa rastësisht, e pat zbuluar ndonjë vasal i Edi
Ramës.
Korça nuk është dalluar për “import” ndërtuesish,
mjeshtrash, kallfësh apo arkitektësh. Në të kundërt, specialistët e trevave
tona thuhet që kanë ndërtuar mrekullira deri në Taxh Mahal. Disa projekte
private të arkitektëve grekë, rumunë dhe italianë, janë zbatuar në vitet ’20
dhe ’30, por peshën kryesore e kanë mbajtur vendasit ing.Pilika, ark. Qemal
Butka, kallfët Misto dhe Koço Koçiu etj.
Pas Luftës së Dytë, shkëlqyen Petraq Kolevica, Koço Comi, Valentina Pistoli e
deri në më të rinjtë.
Vonë, në mijëvjeçarin e ri, jo për arsye të mungesës së
arkitektëve korçarë të aftë në Korçë dhe në Tiranë, por për disa arsye artistiko-korruptive-mistike,
“mbiu” ky arkitekt australian, i cili mori “eskluzivitetin” e projektimit në
Korçë.
Jam i ashpër në fjalët ndaj tij, jo se mendoj se është
komplet faji i tij, por arkitektët e vendeve të zhvilluara perëndimore kanë një
kod etik dhe profesional, i cili duket se i mungon arkitektit Uillsën.
Arkitektët seriozë, të studiove serioze, tërhiqen kur
dyshojnë se ka afera korruptive.
Arkitektët seriozë të studioe serioze, fillojnë venë në
dyshim, kur një numur i madh i investitorëve privatë trokasin në dyert e tyre
dhe ju thonë “na kanë dërguar të bëjmë tek ju këtë projekt”.
Arkitektët seriozë të studiove serioze, marrin në konsideratë
edhe shoqatat e arkitektëve në vendet ku jetojnë dhe mundohen të aplikojnë
tarifa të përafërta me mesataren e tregut.
Pitë Uillsën nuk i bën të gjitha këto, ndaj nuk kam pse të
kursej asnjë fjalë të ashpër ndaj tij.
Nikua…Raqka?
Jo asnjëri prej tyre nuk ka patur atë kohë as njohje dhe as
predispozicion për të sjellë në qytet idetë e tij të viteve ’60-‘70.
Bile Peleshi, me të drejtë admironte arkitektin shumë të mirë
korçar Vladimir Bregun, të cilit pa frikë mund t’i lihet në dorë projektimi i
Korçës.
Si në Mesjetën e Dhoqinës dhe Kasheit, atë e solli feudali Edi
Rama dhe e “emëroi” “arkitekt të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë“ të kazasë të
Korçës. (Nuk është krejt jashtë këtij emërimi edhe deputeti Blushi, që ka qënë
anëtar i Jurisë të qershorit 2009 dhe
megjithëse nuk ka lënë gjë pa thënë për Ramën, asnjëherë nuk ka përmendur ndërtimet
skandaloze të projektuara nga Pitë Uillsën.)
Korça i ka rezistuar zjarreve, tërmeteve, diktaturës ndaj do
kalojë edhe këtë periudhë, kur në mënyrë të fajshme i janë dhënë fuqi të plota
projektimi, dikujt, që po le plot vepra të dobëta apo mediokre.
E mira është t’i ndalet dora sa më parë!
No comments:
Post a Comment