Wednesday, 21 June 2017

Dyshka


Dyshka nuk ka qënë një numur me emër të mirë në Korçë. Në kohën kur sistemi i vlerësimit në shkollë ishte me notën maksimale 5, “dyshka” të linte në klasë. “Dyshkanjos” ishte një nofkë që të dëshpëronte jo pak. Bile aq me përçmim shihe numuri “dy”, sa edhe për paratë thuhej se “kam mbetur pa një dyshkë në xhep”, që ishte fundi i fundit të fukarallëkut, se dihej që me një dyshkë nuk blihej dot gjë.
Të vetmet raste të rralla, kur “dyshka” përmendej pozitivisht ishin në bisedën e përditshme si psh “Bobo Dyshkë sa e mirë je bërë!” ose “Mbrëmë isha nga Parku Rinia me Dyshkën.”, që kishin të bënin me vajzat, që quheshin Dallëndyshe, Menduje, Dyrmishe dhe që me përkëdheli i thërrisnin Dyshkë. Nuk ishin te shumta.
Edhe shprehja “C’më je bërë kështu si dyshkë maço!”, që e ka zanafillën nga letrat e bixhozit është ku e ku më e rëndë se “Na u bëre si Fandi spathi”.
Me një llaf në Korçë, po dëgjuan “dyshkë“, në përgjithësi nuk ndjehen mirë.
Por ja vlen të përmendet, që edhe kryeministri ynë, që shëtit lart e poshtë Republikës me dyshkë në bark e në kurriz nuk e ka zgjedhur vetë këtë numur. Se vërtet është vezir, po jo të tëra gjërat i ka në dorë.
Dyshka është numuri i Partisë Socialiste në skedën e votimit dhe mund të ishte çdo numur tjetër me një apo dy shifra. Gjithashtu nuk është e thënë, që të njëjtin kuptim negative, që merr në Korçë “dyshka”, ta marrë edhe në rrethet e tjera, ku sipas dialekteve quhet edhe “dishi”, “dysh”, “dysho” apo edhe “dor”.
Ndaj le ta marrim me sportivitet, sikundër e ka marrë edhe kryeministri jonë në bluzat e ti sportive gjatë fushatës dhe të djelë të votojmë mr motot:
“Voto Edi Dyshkën, që nuk e ka bërë kurrë fjalën dy!”
“Voto Edi Dyshkën, që t’ju lerë në xhep edhe një dysh!”

“Voto Edi Dyshkën, për ta ngrënë edhe më dysh!”

1 comment:

  1. EDI ka per te fituan maxhorancen e votave kombetare per shkak te frymes qe percjell. Ti nuk e kupton dot kete fryme. Te duket aliene dhe e keqe. Problemi eshte pikerisht ne mendesine tende te korruptuar si kuader I formuar ne periudhen e socializmit(izolim dhe varferi),prinder kuadro dhe aparatcike, cinizem I lig korcar, mllef dhe zili e shpirt.
    Ti nuk behesh o vlla..
    Shkruaj sa te duash...no one takes you seriously.

    ReplyDelete