Njëri syresh, që duket se po “ngjit” edhe në mendjen e
atyre, që janë “politikisht neutralë“, është ai “që do e kthejë Korçën në një
qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan”.
Do mundohem ta spjegoj se përse ambicia është tejet e
paarritshme edhe sikur Peleshi të jetë edhe për 4 vite të tjera zëvendës
kryeministër, si edhe 4 vjet kryeministër pas tyre.
Nuk dua edhe të jem i padrejtë ndaj tij, se prej kohës kur është
zgjedhur kryetar bashkie, ka ndihmuar artistët korçarë dhe është përpjekur për
të gjetur investime në sektorin e kulturës.
Por le të supozojmë se Niko Peleshi do kthehet në një “patron”
i kulturës dhe arteve, si Mediçit e Firences dhe në Korçë do gëlojë kultura dhe
arti.
Në rradhë të parë, burimi kryesor i artit dhe kulturës janë
njerëzit dhe jo institucionet. Klima pozitive ndaj kulturës dhe artit krijohet
duke ju dhënë liri të plotë të gjithë kategorive të studiusve pavarësisht nga
bindjet e tyre partiake. Baza duhet të jetë diskutimi artistik dhe shkencor dhe
jo marëdhënia me grupin e caktuar politik apo me drejtuesin e Bashkisë.
Ka disa raste, që dëshmojnë se Peleshi e injoron këtë gjë. Në
vitin 2011, ai ju kundërvu të gjithë arkitektëve korçarë, duke i denigruar për
ato ç’ka kishin projektuar, vetëm se nuk “i shkonin pas ujrave”. E njëjta gjë u
përsërit në rastin e Kullës Vrojtuese, kur zv.kryeministri as denjoi t’ju përgjigjej
kritikave në shtyp të profesionistëve apo njerëzve të kulturës.
Një ttjetër tregues është vendosja e “peqelepistave” në krye
të institucioneve kulturore ekzistuese. Lorenc Gliozheni mund të jetë një djalë
shumë i mirë dhe i papërtuar, por nuk është as historian, as studiues arti dhe
as njeri i kulturës dhe i letrave për të drejtuar prej vitesh një nga Muzeumet
më të rëndësishme të Shqipërisë. E njëjta
gjë mund të thuhet edhe për drejtuesen e Teatrit apo atë të Bibliotekës. Në një
qytet, ku drejtuesit vendosen për shkak të bindjeve politike apo të marëdhënieve
me Peleshin, kultura rri larg dhe njerëzit e kulturës ose rrinë fshehur ose
largohen.
Kam përmendur në një shkrim rastin e një njeriu tejet të
kulturuar, që jeton vetëm 2 orë larg Korçës dhe ka përkthyer Iliadën. Quhet Ilia
Ballauri dhe askush nga Bashkia nuk rreket ta ftojë ose të propagandojë punën e
tij. Por kjo ndodh edhe me përkthimet e Leko Ballaurit, me punët e skulptorit Vladimir
Kaçaku dhe plot të tjerëve, që nuk janë pro “socialistllëkut” të Peleshit.
Një tjetër dukuri, të cilën mund ta dalloj shkarrazi nga
larg, është konceptimi sipërfaqësor i punës kulturore. Ndjehet, që veprimtaritë
bëhen më shumë për “show” dhe për të tërhequr turistë dhe jo si veprimtari të
mirëfillta dhe të thella kulturore, të cilat shpesh nuk kanë nevojë për bujë,
por tërheqin studiues dhe artistë nga Tirana, Kosova apo vende të tjera
ballkanike. Kjo ka të bëjë edhe me filozofinë e Peleshit për reklamim dhe me
njohuritë e tij të cekta kulturore. Nuk është e thënë, që një politikan apo
administrator të jetë shumë i kulturuar, por ai nuk duhet të imponojë filozofinë
e tij të sipërfaqshme në veprimtaritë kulturore.
Korça, për arsye të centralizimit në kohën e Diktaturës, e
nisi degradimin e saj kulturor pas viteve ’60 dhe për këtë nuk ka asnjë faj
Peleshi, i cili nuk ishte lindur në atë kohë. Eshtë e mirë për Korçën ambicia e
tij. Por duhet të kuptojë, që kultura e vërtetë nuk është as në serenatat, as në
festën e lakrorit, as në Karnavalet e Qershorit dhe as në koleksionet e
pikturave të atyre, që nuk dinë se kush është Ticiani, Shpataraku apo
Tuluz-Lotreku.
Kultura rritet në një qendër banimi duke afruar të mençurit,
të kënduarit, ata që e shkojnë jetën librave dhe jo kafeneve, duke i nxitur,
duke ju krijuar kushte materiale, duke “i begenisur” dhe duke ju vënë pas të
rinj, që të mësojnë prej tyre.
(Dhe duke mos ju kërkuar të votojnë për Partinë e Peleshit.)
No comments:
Post a Comment