Dje, më kapi syri, një diskutim mes Shkullakut dhe Ramës
rreth Rilindjes Urbane, ku përmendej Kulla e Korçës, që sipas Shkullakut “ishte
kthyer në shurrtore”. Rama, si gjithnjë alergjik, kur zihet në gojë Kulla e Pit
Uillsën i tha: “Po lere Kullën se nuk e kuptoni ju atë!” dhe me kaq u mbyll debate,
rreth një objekti, që sa më shumë kohë kalon, aq më pak njerëz, që e mbrojnë
ka.
Por problemi i vërtetë i Kullës, nuk qëndron në kthimin e
saj në “vend urinimi”, ose “grafitesh”, apo edhe thjesht mospërdorimi i saj,
sikundër u shpreh Shkullaku. Kulla mund të funksionojë edhe mirë(nëse e pranojmë
si funksion ngjitjen në të dhe vrojtimin e tarracave të pallateve apo edhe të
peisazhit të Moravës), dhe mund të mirëmbahet e të ketë po të njëjtën pamje si
në ditën e përurimit.
E keqja e saj qëndron në funksionin urbanistik, që i ka
atribuar projektuesi Pit Uillsën, atë të “ankorës” së dytë, që mbyll pedonalen.
(Arkitekti argumenton, që Qendra e qytetit të Korçës kishte
nevojë për dy ankora, një Katedralja dhe tjetra Kulla, a thua se kjo hapësirë më
e rëndësishmja e qytetit, është një tel ku ndehen rrobat dhe duhet kapur në dy
shtylla vertikale.)
Nga pikpamja urbanistike, Kulla “shkatërroi” përfundimisht
idenë e hedhur nga italianët për një shesh rrethot apo oval, ideja e të cilit nisi
të realizohej me ndërtesën e Bankës, që është një nga ndtertimet më të shkëlqyera
të Korçës.
Objekti i ri, bashkë me ato rrethuese, solli një shkallëzim
absurd në një hapësirë, që ishte një nyje nevralgjike e lëvizjes së këmbësorëve
drejt tregut të Korçës.
Vizualisht, e dëmtoi hapësirën jo stërmadhe rreth saj dhe
kjo në një qytet me dendësi të madhe, i cili ka nevojë për hapësira.
Nga ana arkitekturore, po përsërit shkurtas, ato, që kemi thënë
më parë me një grup kolegësh, që Kulla i përket një stili të dalë mode të 40
viteve më parë - Arkitekturës brutaliste. Komentohet sikur është kopjuar nga një
Kullë në Japoni, por veç një ngjashmërie rastësore në siluetë, Kulla Vrojtuese
nuk ka asgjë të afërt me objektin japonez.
Krueministri këmbëngul, që Kullën nuk mund ta kuptojnë
analistët. Më parë, e ka quajtur si mjet terapeutik, për arkitektët dhe artistët
, që vuajnë nga formimi i Socrealizmit.
Që prej qershorit 2014, kur kam parë skicën e parë, i jam
kthyer dhe i jam vërtitur projektit dhe objektit dhe vërtet nuk e kam kuptuar.
Nuk kam kuptuar, se si një arkitekt mund të projektojë diçka
kaq absurde për Korçën dhe si piktori Rama dhe pasuesit e tij, jo vetëm e
lejuan të ndërtohej, por nuk kanë edhe kurajon të thonë : “Gabuam, se edhe ne
njerëz jemi!”
No comments:
Post a Comment