Koçoja u largua i qetë, pa fanfara, sikundër e kishte shkuar
jetën e tij prej arkitekti të saktë, elegante, pa zhurrmë.
Ishte shumë “fin” në mënyrën se si projektonte, si sillej e
fliste. Më shumë se sa dikush i lindur dhe rritur në Devollin e sipërm të
ngjante me një aristokrat francez ose spanjoll.
Arkitekt Comi ishte nga ata arkitektë, për të cilët dëgjoje
, qysh në vitin e parë të studimeve. Konsiderohej në 3-4 më të mirët në Shqipëri
dhe më i miri në projektimin e vilave. Në fundin e viteve ’70 ishte angazhuar në
projektimin e vilës së Mehmet Shehut, vepër e cila u përfol së tepërmi në atë
kohë dhe të cilës edhe Kadareja i kushtoi vëmendje të veçantë në veprat e pas
viteve ’90. Edhe vetë arkitektit dhe “përballjes” së tij absurde me Diktaturën
Ismaili i dha një vend të veçantë tek vepra e tij “Pasardhësi”.
Koço Comi i përkiste arkitektëve të arkitekturës moderne, që
i kushtonin rëndësi të veçantë parimit “Form follows function” (Forma ndjek
funksionin). Kujdesi i tij në trajtimin e planimetrive ishte i mirënjohur,
bashkë me bindjen, se “një planimetri e saktë, e zgjidhur mirë, detyrimisht do
sjellë vëllime të pëlqyeshme”. Hotel turizmi i Korçës dhe sidomos dhomat e tij
të fjetjes, ishin shembuj të një zgjidhjeje racionale dhe funksionale të
nivelit shumë të lartë. Të njëjtat vlera kanë pasur edhe projektet në Shkolla e
Partisë, Kinoteatri Sarandë etj.
Për shkak të “rëndësisë shtetërore”, vilat e udhëheqjes të
projektuara nga ark. Comi, nuk kanë qënë kurrë të studiuara nga studentët e
arkitekturës.
Pasi e kisha takuar në Tiranë, kur punonte në një zyrë të
vogël në ekspozita “Shqipëria Sot”, pata fatin ta takoja edhe dy tre herë të
tjera në Korçë, gjatë kohës kur mendohej të ngrihej Pallati i Ri i Kulturës,
pikërisht ku është sot pjesa fundore e Katedrales. Ishte një projekt, të cilit
i kishte kushtuar shumë kohë dhe dëshëronte të realizohej. Fliste me pasion
rreth tij, ndërsa thithte gati në mënyrë artistike, cigaret me filtër, që nuk i
ndante. Nuk kishte mbushur të pesëdhjetat, por ishte autoritet në fushën e
projektimit.
Ps viteve ’90, arkitekt Comi u tërhoq në Dardhë, ku kalonte
pjesën më të madhe të vitit. Me gjithë eksperiencën profesionale dhe namin e
mirë, kishte ndenjur larg “lojës së ashpër
të projektimit”, në Tiranën e bumit të ndërtimeve. Arkitektura i interesonte si
Art.
Ishte arkitekt-artist Koço Comi.
No comments:
Post a Comment