Në shikimin tim të paanshëm(ose të anshëm) si i interesuar në
rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, do doja të kishte balancë dhe
shpërndarje të votave.
Do mundohem ta spjegoj më poshtë, se pse e gjykoj, që është
kështu më mirë për Shqipërinë.
Them se ka dy gjëra shumë të rëndësishme, që duhet të
ndodhin në harkun e një viti, ose një viti e gjysëm. E para është Reforma në Drejtësi
dhe e dyta është dobësimi i tre Partive të mëdha.
Reforma në drejtësi do marrë kohë se ka shumë forca, të
cilat e pengojnë dhe më kryesoret janë krerët e inkriminuar të tre partive
kryesore edhe pse Rama hiqet “se i digjet barku për Vetingun dhe Reformën në
Drejtësi”. Viktimat e para, të një Drejtësie të pavarur dhe të pakorruptuar duhet
dhe do jenë Ilir Meta, familja Berisha dhe Edi Rama, për të vazhduar me më të
vegjlit Bode, Beqaj, Haxhinasto e ndonjë tjetër. Ndaj nuk duhet të na gënjejë
mendja, se kjo do ndodhë shpejt dhe pa përplasje. Për deri sa tre partitë e mëdha
të jenë nën kontrollin e Ramës, Metës dhe familjes Berisha, periudha në vazhdim
do jetë “tranzicioni i tranzicionit”. Ndaj shpresoj, që ç’ka u fillua nga
Blushi, Gjergj Bojaxhi dhe Shinasi Rama, të ndiqet nga të tjerë në periudhën që
vjen. (E domosdoshme është një lëvizje e rinisë studentore, që çuditërisht po
duket ende e plogët në Shqipëri.)
Një fitore e madhe e Ramës do e linte vendin në vendnumuro
politikisht edhe pse mund të sillte dobësimin e LSI-së. Ndërsa një koalicion
PS-PD, do ishte një “çoroditje e plotë e spektrit politik shqiptar”, por që
mund të sillte vetëm pas 4 vjetësh, një forcë të madhe opozitare si ajo “En
marche” e Makron-it në Francë.
Për mendimin tim, skenari më i mirë do ishte një fitore e
PS-së jo më shumë se 65 mandate dhe qeverisja e saj me një ose dy aletaë të
vegjël deri në zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e vitit 2018.
Pse mendoj se i bën mirë vendit.
Një periudhë e tillë do sillte forcimin e Libra-s, Sfidës ,
si dhe hyrjen në skenë të Shenasi Ramës, që deri tani duket politikani shqiptar
i pakorruptuar dhe me një vizion perëndimor. Edhe të tjerë më të rinj, idealistë
apo pragmatistë, por të papërlyer do hidheshin në betejën politike, kur të
ndjenin se “tre peshkaqenët” janë më të dobët. Njëkohësisht, një frymë kritike
do zhvillohej edhe brenda PD-së dhe PS-së, që deri tasni janë si
parti-garnizon.
Për rrethin e Korçës, që për fat të keq në këto 27 vjet ka
shpënë në Parlament vetëm deputetë eunukë, do dëshëroja të kishte përsëri shpërndarje
të votave dhe PS-ja mos kalonte numurin 5 të mandateve. Mirë do ishte, që “banda
e Nikos”, të kishte më pak deputetë të tipit Pëndavinji, që jo vetëm nuk kanë
se ç’thonë për qytetin tonë në Parlament, por edhe kur shkojnë në banjë, i dërgojnë
SMS Nikos ta pyesin, nëse duhet të urinojnë në pisuar apo në klozet.
Jashtë Parlamentit është mirë të mbetet edhe Balliu zhunior,
ndonëse fokusi i tij është Pogradeci dhe jo Korça. Mirë do ishte, që Pepivani,
vajza e dy korçarëve me emër të mirë të bënte pjesë në Parlament edhe pse nuk
di se sa luftarake do jetë për qytetin tonë.
E di, që edhe Basha edhe Blushi janë lyer në afera
korruptive, kur kanë qënë ministra. I vetmi avantazh “moral” i tyre ndaj Ramës
dhe Metës është, që nuk kanë qënë kryeministra dhe shifrat për të cilat janë përfolur
janë më të vogla. Të parit nuk do ja jepja votën, ndërsa për të dytin do bëja
sipas thënies së Montanelit “do zija hundët” dhe do e votoja. Për hir të shpërndarjes
së votave dhe që duket se ka kuptuar, që me një sistem të korruptuar si i sotmi
nuk mund të vazhdohet më.
Dikush mund të më thotë me plot të drejtë :”Ti jeton larg
dhe nuk të bëhet vonë të shkojmë edhe mot në zgjedhje, por kusuret e fushatave i
kemi ne.”
Nuk kam përgjigje për këtë.
Cka shkrova ishte e vetmja shpresë e imja, se punët mund të
marrin për mbarë.
Perëndia qoftë me ne!
No comments:
Post a Comment