

Megjithëse mundohem të lexoj lajmet, që lidhen me Korçën, më
kishte shpëtuar një lajm, që duhet të ishte përsëritur dhe ripërsëritur në të
gjitha mediat shqiptare, se është diçka që ndodh shumë rrallë.
Ilia Ballauri ka përkthyer dhe botuar (me shpenzimet e tij)
“Iliadën”.
Një gjë e tillë vlen në opinionin tim, sa dhjetra kulla të
ndërtuara, apo shfaqje të dhëna në Pazar.
Sa e mësova dhe nuk di as se ku ta kërkoj librin dhe edhe nëse
do e gjej nuk di nëse do jem në gjendje ta lexoj të gjithin. Nuk e kam lexuar të
gjithë as përkthimin e Shllakut edhe pse e kishim në shtëpi.
Duhen përpjekje titanike për ta botuar dhe Ilkës kjo nuk i
ka munguar.
Ilka ka jetuar rreth 100 metra larg apartamentit ku jam
rritur dhe e kam parë, që në adoleshencën e tij. Ka pasur një “posture” të veçantë,
të ndryshme nga të vëllezërve të tij Leko dhe Taqkë. Më vonë e kam njohur pak
dhe rrallë ka qëlluar të flasim për letërsinë apo historinë. Di , që kishte një
dashuri të veçantë për Korçën dhe në fund të vitit1996 më erdhi në zyrë, se
mendonte të ndërtonte një shtëpi të re. Kishte me vete një projekt të punuar me
shumë kujdes nga një inxhiniere greke, e afërme e tij. Më erdhi keq, që i
ndërpreva entusiazmin, duke i thënë, që mbase nuk ishte ide e mirë të ndërtonte
në Shqipëri. Disa muaj më vonë filloi kaosi, i ngjashëm me rrëmujërat antike, që
ka përkthyer tek Homeri.
Ilkë Ballauri është tani në moshën e pensionit, por unë përsëri
pëlqej ta quaj si “një nga djemtë më të mençur të Korçës”. Iku në Selanik menjëherë
pas ndryshimit të sistemit, por është me zemër dhe mendje në Korçë më shumë se
qindra korçarë, të cilët jetojnë atje.
Me përkthimin e “Iliadës” ai futet në një rradhë me profesor
Kondën, Vangjush Mion, Petraq Pepon, fotograf Sotirin, Qemal Butkën, Tefta
Tashkon, Zai Fundon, Aleko Mingën, Petraq Kolevicën, Edison Pashkon, këta
korifej të artit, historisë dhe letrave shqipe, që janë rritur kalldrëmeve të
qytetit të Korçës.
Ndaj “Iliadës” të përkthyer nga Ilka ka pasur heshtje. Nga
Bashkia, ndoshta nga Biblioteka e qytetit, mbase edhe nga Universiteti Fan
Noli, ku Ballauri ka studiuar.
Ndoshta Ilka është “i vështirë“ për autoritetet, se nuk
besoj se e ka thirrur ndonjëherë kush nga çdo krah politik, për t’i propozuar të
bëhet deputet apo edhe vetëm rektor i universitetit.
Askush nuk është kujtuar, të bëjë një mbrëmje me recitime të
“Iliadës” në teatër, në Pazar, apo në “Parku Rinia”.
“Iliada” është shumë e vjetër dhe po i tillë duhet të jetë
mentaliteti prej “intelektuali të kulluar” i Ilia Ballaurit.
Bashkisë, Universitetit dhe Teatrit nuk i duhet Homeri.
Ju mjaftojnë Nasho Jorgaqi dhe disa poetucë, që shkruajnë
vjersha për Niko Peleshin dhe Partinë Socialiste.
No comments:
Post a Comment