Monday, 26 June 2017

Kur përplasen tre vezë…dy thyhen!

Sovrani foli.
Edi Rama ka të drejtë të shijojë fitoren e mandatit katërvjeçar dhe Basha “ka të drejtë“ të dorëhiqet nga kreu i PD-së.
Ilir Meta është e mira të kthehet në President dhe të lerë gruan të bëjë një opozitë të fortë.
Beteja treshe elektorale dhe rezultati I saj, dha një konfirmim të mungesës së dëshirës së elektoratit shqiptar, për tu ndarë nga votimi “pro dhe kundër”. Mungesa e programeve të qarta bashkë me mungesën e shtjellimit të tyre, e reduktoi fushatën e të tre kryesorëve në metaforat e shpifura të “timonit, tepsisë, shoferit, kazanit”. Kaq. Asnjë debat televiziv ndërmjet kandidatëve për kryeministra, apo “të projektuarve” për ministra të ekonomisë, shëndetsisë, arsimit etj.
Edhe pse ende mund të ketë ndonjë të papritur koalicionesh, duket se Rama do formojë qeverinë i vetëm dhe dy partitë e tjera do përbëjnë një “opozitë të çuditshme”, se sipas profileve, njëra duhet ta sulmojë qeverinë nga e majta dhe tjetra nga e djathta. Nëse Rama do miklojë partinë e çamëve, bashkë me votat e tyre dhe të Tom Doshit do jetë gati i pathuyeshëm. Nëse Gramoz RuçI do ja mbajë “granizonin” e disiplinuar, atëhere vetëm Rama mund ta rrëzojë Ramën.
Votimet dëshmuan edhe një gjë tjetër. Pa mbështetje të fortë financiare është shumë e vështirë të fitosh edhe një mandate të vetëm në Shqipëri. Libra, Sfida dhe Tom Doshi, janë ilustrimi më i mirë për këtë dukuri.
Tani të gjithëve (përveç Edi Ramës) ju duhet shumë punë. Më së shumti PD-së, që është humbësja më e madhe. Por edhe atyre, që nuk kanë mundur të hyjnë në parlament. Lufta politike nuk është vetëm betejë fushatash. Eshtë një shumatore betejash të vogla të përditshme.
Rama mund të shijojë më së miri pushimet, sepse edhe projektin qeverisës e ka gati. Koordinatorët mund t’i kthejë ministra dhe të qeverisë po njëlloj, sikundër ka qeverisur. Në fund të fundit nuk premtoi asgjë më shumë.
Diçka e ngjashme me atë që i ka ndodhur Merkelit, Putinit dhe Erdoganit i ka ndodhur edhe Ramës. Pas 4 vite qeverisjeje atij i është rritur popullariteti. Dhe si për çudi, ndërsa tre të tjerëve ju rrit për shkak të rritjes së dukshme ekonomike, kryeministrit tonë, edhe me stanjacion ekonomik ju rrit përkrahja në popull. Nuk mund të qortohet për këtë.
Ndoshta, mënyra se si u qeveris me ministrant teknikë, mund të shërbejë për një disiplinim politik të administratës edhe pse për këtë kam shumë dyshime.
Por le të shpresojmë për mirë.
Veza e fortë, që theu dy të tjerat duhet uruar.

Suksese në qeverisje zoti kryeministër, për hir të Shqipërisë!

1 comment:

  1. Emo arqitekt ,e bere zemres gur dhe e urove Edi Ramen.
    Edi Rama I mundi me tuta,tepsi dhe timon keta te tjeret qe "shterzuan" po nuk "pollen" asgje.
    Fitoi fryma dhe puna...next step is the re-industrialisation of Albania.
    Biseda jone ketu mbaron po ti vazhdoje monologue,mos u lodh..

    ReplyDelete