Monday, 12 June 2017

Qershor 1997 (fund)

(vijim)

Java e fundit e qershorit ishte java e zgjedhjeve parlamentare. Dukej, që Saliu me “qëndrestarët” e tij do humbisnin. Nuk kisha asnjë simpati për socialistët dhe as për Nanon, që kishte qënë në burg. E kisha ndarë mendjen për të votuar një parti të tretë, sepse për socialistët nuk e mendoja kurrë të hidhja votën, ashtu sikundër nuk mund ta hedh edhe sot. Ajo parti kurrë nuk u shkëput nga trashëgimija e së kaluarës kriminale.
Vendosa të votoja për PBDNj-në, sepse e ndjeja , që duhet të bëja diçka edhe për shokun tim Gjergji Lekën. Nuk më kishte kërkuar kurrë të votoja për ta dhe as ka ditur ndonjëherë se mund të kem votuar për atë parti. Kujtoja duke qeshur edhe shprehjen e famëmadhit Nandi Qirici, që theshte: “E o për të Drejtat e Njeriut do votoj! Ka më mirë se të Drejtat e Njeriut!”
Të nesërmen ose të pasnesërmen e zgjedhjeve, ndërsa vërtitesha në të zakonshmen Valbona-Ushtari i Panjohur –Turizmi, takova Niko Peleshin dhe Raqi Filon, pranë Mësonjtores së Parë, të cilët ishin të shqetësuar për rezultatet e referendumit dhe rrëmujën e atyre ditëve në Pallatin e Kongreseve. E dija, që ishin me Partinë Demokratike, por nuk e mendoja se mund të arrinin deri në absurditetin, që të besonin “përrallën e fitores së monarkisë“. Fillova t’i ngacmoja, se i njihja si djem me mend dhe nuk e prisja, që simpatija për të djathtën , t’i shpinte deri në besimin e dëshpëruar, se kishte ende shpresë, që Saliu mos humbiste përfundimisht. Nikoja nuk duroi shumë dhe më tha” Qënke gëzuar më shumë se Niko Faberi!” Qesha me të madhe dhe i thashë, që vërtet isha i gëzuar, “se largimi i Saliut ishte një imperativ dhe jo se fituan socialistët!’ Raqka, si më i përmbajtur, më tha, që kishin aq prona për të marrë, sa interesi ja u donte të ishin me të djathtën. Nuk di në ishte takimi i fundit me ta para largimit, por më mbeti në mendje, se i kisha njohur për të rinj të mençur dhe jo fanatikë në politikë. Koha e tregoi, që për të dytën kisha patur të drejtë. Nuk ishin fanatikë. Politika i ndihmonte për të përparuar në fushat e tyre dhe vërtet kanë qënë të suksesshëm edhe në biznes, por akoma më shumë në politikë.
Raqi është një administrator i talentuar dhe skrupuloz, ndërsa Nikoja një politikan i lindur! Besoj se të dy do kenë një karrierë të qëndrueshme në politikë.
Në fund të qershorit nisa të paketoj gjërat e shtëpisë. Vëllimin më të madh e zinin librat e babajt, të cilat i ndava në tre kategori. Koleksionin e plotë të revistave “Nëntori” mendova t’ja falja Bibliotekës, por atje nuk treguan ndonjë interes ndaj i lashë brenda kutive.
Ndoshta kishin të drejtë.
Në qershorin e vitit 1997, pjesa më e madhe e të njohurve të mij, shikonin mundësitë se si të largoheshin nga vendi. Askujt nuk i binte ndërmend për libra!
Mes gjërave, që shpërndava, ishte dhe një karabinë pa gushë, të cilën ma pati sjellë një kushëriri im në fund të marsit, për të patur edhe unë një armë në shtëpi. Veç gushës nuk kishte as fishekë. Time bija ende e kujtojnë atë si gjë të pazakontë dhe të frikshme, nën krevatin tim.
Një karabinë e tipit Simonov me kalibër 7.62 mm, pa gushë.
Një burrë afër të 40-ve, që hiqte pas edhe katër të tjerë dhe që po mbetej pa atdhe.

Në sfond, tërë ato ditë, dëgjoheshin këngët e filmit “Flokët”.

No comments:

Post a Comment