Friday, 23 June 2017

Teatri dhe një kujtim për Aleko Skalin


Me teatrin e Korçës më lidhin shumë kujtime, që në fëmijërinë e hershme dhe deri në ndryshimin e sistemit. Më pas, kam parë veç një shfaqje të Shekspirit “Endrra e një nate vere”, rreth vitit 1994 dhe jam larguar nga salla në mes të shfaqjes.
Shfaqjet e teatrit në vitet ’60 ishin një gjë shumë e rëndësishme dhe serioze për qytetin. Piro Mani, kishte vënë në skenë “Pamje nga ura” të Millerit, për të cilën flitej shumë mirë, si dhe kishin patur sukses “Nata e Dymbëdhjetë“ e Shekspirit, “Hijet e natës” e Vedat Kokonës dhe të tjera pjesë teatrale.
Aktorët e teatrit ishin njerëz që gëzonin respekt edhe pse në vitet ’60, asnjëri syresh nuk kishte studiuar për aktrim ose ndonjë shkollë tjetër të afërt. (Të parët aktorë të shkolluar në Institutin e Arteve ishin Vangjush Furrxhiu dhe Sotiraq Cili). Lekoja(Aleko Skali) ishte i vetmi, që kishte mbaruar Liceun Francez. Nuk kujtoj ta kem parë në ndonjë rol kryesor, pasi në fundin e viteve ’60 dhe në fillimin e viteve ’70 e aktivizonin vetëm në ndonjë rol episodik. Të mënjanuar atë kohë kishin mbetur edhe Trajçeja, Nuçi Shedollari, Vangjel Grabocka ndërsa të tjerë si Spirku Karanxha, Dhimitra Mele apo Stavri Shkurti aktivizoheshin në estradë, pas shpërndarjes së famshme të gjithë trupës së estradës në mesin e viteve ’60. Nga aktorët e brezit të parë shkëlqenin Pandi Raidhi dhe Thimi Filipi, të cilët kërkoheshin shumë edhe nga regjisorët e Kinostudios.
Prej vitit ’72, Lekoja vinte më shpesh në shtëpinë tonë, pasi ishte edhe shumë i apasionuar pas futbollit dhe ndiqte ndeshjet, që jepeshin në televizionin jugosllav. Kishte një natyrë shumë të ndryshme nga babai im dhe shpesh çuditesha se si kishin bashkëpunuar për libretet e operas “Lulja e Kujtimit” dhe operetës “Së bashku jeta është këngë“. Ishte i pamartuar dhe nuk dukej se ishte më i interesuar për një jetë familjare. E dëgjoja me vëmendje, kur tregonte histori të paraardhësve të prindërve të tij, që vinin nga dy familje të njohura korçare. Gjeografia e jetës së paraardhësve shtrihej nga Misiri e deri në Las Vegas. Ishin histori të treguara me pasion, por edhe me shumë vërtetësi.
Atë kohë më kujtohet, që e pata pyetur për teatrin dhe rolet, që kishte luajtur. Mu përgjigj me një psherëtimë, që i dilte thellë shpirtit: “Eh, atëhere kam qënë violinë e parë!” dhe nuk shtoi të tjera fjalë, por u zhyt në mendimet dhe ndoshta në ëndrrat e parealizuara.
Sigurisht, që Lekoja, si gjithë aktorët, që formuan bërthamën e parë të teatrit, e kishin mësuar artin e aktrimit duke parë filmat e Hollivudit deri në pushtimin e vendit më 1939 dhe ato italiane më vonë. Lekon e ndihmonin edhe leximet dhe talenti i tij si vjershëtor dhe prirja për të ëndërruar. Duhet të ishte pak futurist. Në një pjesë me një akt, që kishte shkruar në vitet ’50, ngjarja zhvillohej në një stacion metroje në Korçë. Ndoshta ëndërronte, që qyteti të kthehej në metropol.
Tani ndodhet në “metronë“ e Korçës, ku të gjithë janë të barabartë. Të famshmit dhe të panjohurit. Ata, që ju dhanë të tjerëve dhe ata, që ju morën.

Aleko Skali (Leko Micaku si e thërrisnin shokët) ju ka dhënë të tjerëve.

No comments:

Post a Comment