Thursday, 2 December 2021

Sikur mos ishte S.

 

Ajo ishte vajza më e bukur e kryeqytetit. Ose më e bukura nga ato që shiheshin prej të gjithëve. Në skutat e shumta të atij qyteti prej 300 mijë qytetarësh, të ardhurish, studentësh dhe vizitorësh, kishte edhe shumë bukuri të fshehura nga frika e vëllezërve fanatikë, nga përndjekjet e punëtorëve operativë ose sepse ktheheshin të lodhura nga punët e rënda dhe nuk kishin forcë të dilnin në Xhirron e Madhe. As ajo nuk dilte darkave në xhirron përgjatë Bulevardit të Madh, por mund ta shihje paraditeve, ndërsa shkonte në fakultet me shoqet, ose kur ecte me nxitim për në palestrën ku stërvitej. Ishte e bukur dhe me trup të mirë, të theksuar edhe nga stërvitjet plot ngarkesë nën drejtimin e trainerit K.T.

Traineri K.T. ishte ende në gjendje shumë të mirë fizike edhe pse i kishte kaluar të pesëdhjetat. Kishte pëlqyer gjithnjë të stërviste vajza. Kuptohej më mirë me to. Kishin më pak shpërthime. Edhe ato që vinin nga familje të rëndësishme të kryeqytetit. Me çapkënllëqet e djemve do e kishte patur më vështirë. Nuk donte që stërvitjet të zgjateshin pafund me tërheqje vërejtjesh dhe kritika ndaj lojtarëve. Nuk kishte durim. Për çështjet e brishta të vajzave kishte zgjedhur një ish-volejbolliste, e cila i tregonte çdo gjë. Përqëndrohej edhe në më të voglat hollësi.

Në vitet e tij si sportist hollësitë, marifetet, trysnia psikologjike ndaj kundërshtarëve e kishin ndihmuar shumë. Nuk kishte shtatin e një volejbollisti profesionist, por kërcente shumë nga vendi dhe arrinte të trembte edhe kundërshtarët shtatlartë.

(vijon)

No comments:

Post a Comment