Wednesday, 15 December 2021

Një histori e shkurtër e shtëpisë të ing. Belotit, ajo që quhet Vila e Enverit


Po e shkruaj këtë ndodhi, si ma ka treguar më se 30 vjet më parë, miku im Piro Katro. Lidhet me një objekt, që luajti një rol të rëndësishëm në shkatërrimin e jetës së Katrove. Gjithashtu në atë vilë janë thurrur shumë intriga për shkatërrimin e mijra jetëve të qindra familjeve shqiptare.

Fillon me inxhinierin italian Belotin (shpresoj mos e ngatërroj emrin), i cili ishte një sipërmarrës italian me veprimtari në Tiranë dhe që si shumë biznesmenë vendas dhe të huaj kishte ndërtuar një vilë të mirë në Tiranën e Re, e cila në vitet ’30 ishte e gjitha tokë arë. Inxhinier Beloti ishte mik me Petraq Katron, një atdhetar i njohur korçar, që për një kohë kishte qënë edhe sekretar i patriotit Sali Butka. Piroja, djali i madh i Petraqit, student në Liceun e Korçës, kishte dalë partizan, para se të binte Italia Fashiste. Me rënien e saj inxhinier Boreli u kthye në Itali dhe i kërkoi Petraq Katros të rrinte e të kujdesej për shtëpinë e tij në Tiranë. Kështu bëri Petraqi dhe jetoi atje bashkë me gruan dhe djalin e vogël deri sa një natë në fund të vitit 1944, një grup partizanësh trokitën në shtëpinë e tij dhe me një letër e njoftuan të largohej, se në shtëpi do vendosej familja e Komandantit.

Petraq Katroja kundërshtoi, duke ju thënë se shtëpia i ishte lënë në kujdestari nga miku i tij italian, por kur e pa se ishte e kotë, u kthye në shtëpinë e tij në Korçë. Enver Hoxhën e kishte njohur gjatë viteve të qëndrimit në Korçë dhe me sigurinë e një njeriu që kishte bërë për Shqipërinë i dërgoi fjalë:”Shtëpinë e more, por në çarçafët tim po fle!” Kjo siguri i kushtoi Petraq Katros, se dy vjet më vonë, në një fjalim të mbajtur në Korçë, Enver Hoxha e sulmoi si njeri që kishte qënë kundër komunistëve në vitet ’30. Dy vjet më pas, Petraqi arrestohet dhe dënohet për propagandë kundër pushtetit popullor.

Arrstimi i tij i kushtoi jo vetëm familjes së Petraqit, por edhe gjithë Katrove të tjerë, të cilët kishin qënë jo vetëm familje të nderuara, por dhe kishin kontribuar në jetën shqiptare dhe luftën kundër nazi-fashistëve. Piros ju harrua “partizanllëku” dhe u detyrua të punonte për vite të tëra fshatrave. Nipërit dhe mbesat e Petraqit e patën vështirë të shkonin në universitet, vetëm e vetëm, se në një fjalim të vitit 1947, Enver Hoxha pat sulmuar gjyshin dhe xhaxhanë e tyre.

Nuk dihet se ç’ndodhi me inxhinier Belotin dhe trashëgimtarët e tij, por duket që ai nuk donte të dëgjonte më për shtëpinë e tij, që u bë çerdhe e Diktatorit më të egër europian të pasluftës. Në fundin e viteve ’70, vila u rinkostruktua dhe ju bënë shumë shtesa, për të krijuar kushte edhe për familjet e posakrijuara të fëmijëve të Hoxhës. Më vonë, Edi Rama këmbënguli që ajo të mbetet një vilë funksionale dhe muze, për të ndihumar fanatikët enveristë, që të përulen me nderim para “tempullit të Satanit”.

Piro Katroja ka vdekur, pas një jete të ndershme, kur për asnjë çast të vetëm nuk e dënoi babanë e tij për “meselenë e çarçafëve”. Ndoshta janë ende diku në ndonjë depo të Vilës të ruajtur me kujdes nga pasardhësit e Hoxhës në politikë.

No comments:

Post a Comment