E kujtoj thuajse shumë mirë atë ç’ka ndodhi në dhjetorin e vitit 1990, të pasqyruar ato ditë nga televizioni shqiptar, gazetat dhe bisedat me miqtë, por asnjëherë nuk kam ditur dhe nuk kam mundur të mësoj se ç’thuhej telefonave dhe në kulisa të tjera të errëta të Komitetit Qëndror, Presidencës dhe Ministrisë së Brendëshme.
Bota “e errët” e telefonave ka qënë pjesë e rëndësishme e
jetës shqiptare nën Diktaturë dhe në vitet e para të tranzicionit. Nëpërmjet
saj jepeshin porositë, që nuk duhet të ishin të dokumentuara me shkrim.
Telefona kishte vetëm në zyra dhe në shtëpitë e funksionarëve të lartë dhe të
mesëm, si dhe të njerëzve të zakonshëm që punonin në sektorët e urgjencave si
ata të shëndetsisë, zjarrfiksave, telekomunikacionit dhe të ushtrisë. Ishte një
përqindje e vogël e popullsisë. Por edhe familjet me telefona, edhe pse përgjithësisht
të besuara të regjimit, nuk flisnin hapur telefonave se e dinin që mund të përgjoheshin
lehtësisht. Një pjesë jo e vogël e çentralisteve punonin për Sigurimin e
Shtetit, përveç pjesës të Degëve të Brendëshme, të cilat punonin veçanërisht për
përgjimet.
I gjithë viti 1990 ishte një vit thuajse absurd dhe pa trajtë,
sepse regjimi i kishte bërë të gjithë tërësisht të pakënaqur, të gjithë shtetet
e Europës Lindore po kryenin transformimin e shtetit-parti, e megjithatë brenda
Shqipërisë ishin të pakët ata që e kuptonin se sa mund të rezistonte Ramiz Alia
me Byronë Politike. Këtë ndoshta nuk e dinte as Alia vetë, sepse sinjalet e
atij viti edhe nga lart ishin shumë kontradiktore. Megjithëse e dinte që arkën
e shtetit e kishte bosh dhe kredi nuk mund të merrte pa kushte nga Perëndimi,
megjithëse njerëzve ju mungonin edhe ushqimet bazë dhe nuk mund të shkonte shumë
kohë pa një revoltë, përsëri me pavendosmërinë e tij për të përcaktuar se ç’ishte
në dobi të tij, të familjes dhe të gjithë byroistëve, Ramiz Alia lëkundjes mes
domosdoshmërisë për të bërë reforma të kontrolluara dhe sigurisë që i jepte
kontrolli mbi organet e dhunës dhe ushtrinë.
Në vija të trasha pak a shumë kronika politike e vitit 1990
ishte e tillë:
·
Janar 1990, në Shkodër ishte lajmëruar një
revoltë e organizuar për rrëzimin e bustit të Stalinit, por që u ndalua nga
organet e Ministrisë së Brendëshme.
·
Prill 1990, Zëri i Popullit boton shkrimin e
Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur”, që bënte thirrje për reforma në shumë
fusha të jetës shqiptare. Flitej se artikulli ishte bërë me porosi të Ramizit.
·
Maj 1990, Sekretari I Përgjithshëm i OKB-së
Perez viziton Tiranën dhe menjëherë lejohen të largohen nga Shqipëria, familja
Popa, që kishte kërkuar strehim politik në ambasadën italiane prej vitit 1985.
·
Maj 1990, gazeta “Drita” boton një artikull të
guzimshëm të Sali Berishës për rolin e intelektualëve në ndryshimet e domosdoshme
filozofike dhe kulturore në Shqipëri.
·
Qershor 1990 vazhdojnë arratisjte nga Shqipëria
dhe përpjekje për të hyrë në ambasadat e huaja.
·
2 Korrik 1990 me mijra njerëz hynë në ambasadat
e huaja në Tiranë, një pjesë e mirë bazuar në lajme që u hapën gojë më gojë ose
nëpërmjet telefonave. Asnjëherë nuk u mësua se nga ishte burimi i atij lajmi
dhe i atij organizimi.
·
Në mes të korrikut, pas largimit për në
Gjermani, Itali dhe Francë të shqiptarëve që hynë në ambasadat, Komiteti Qëndror
organizoi një miting kundër tyre, ku u detyruan forcërisht të merrnin pjesë
punonjësit e Tiranës, një miting i dështuar, pa asnjë brohoritje, ku u pa qartë
se e gjithë Tirana ishte në anën e të arratisurve. Në emër të intelektualëve me
siguri nuk kishin pranuar të flisnin Kadareja dhe Agolli, se me kokën e ulur
fjalën e mbajti Kiço Blushi, një njeri i kalibrit mesatar në fushën e arteve
dhe kulturës.
·
Gusht 1990, Ramiz Alia bën mbledhje me
intelektualët kryesorë të Tiranës ku kundërshton çdo ide për pluralizën
politik, por edhe vetë intelektualët duken fare të mpirë, përfshi këtu edhe
Kadarenë, i cili si ka shkruar vetë i kishte dërguar në pranverë një letër të
gjatë për të bërë reforma.
·
Shtator 1990, Ramiz Alia shkon në Nju Jork për të
mbajtur fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku nuk jep asnjë shënjë
se do ndjekë rrugën e reformave që po kryenin vendet e tjera të Europës
Lindore.
·
Tetor 1990, Kadareja kërkon familisht strehim
politik në Francë, si kundërshtar i regjimit të Ramiz Alisë.
·
Nëntor 1990, mbahet Konferenca e Talenteve të
Reja në Korçë, ku as Foto Çami dhe as Dritëro Agolli nuk tregojnë ndonjë shënjë
se regjimi mund të ndryshonte shpejt. Edhe kërkesat e letrarëve dhe artistëve të
rinj ishin të zbehta dhe kryesisht të karakterit të ndihmës ekonomike.
No comments:
Post a Comment