Friday, 17 December 2021

Amerikanët sërish “amatorë në diplomaci” për Pollon


Për të disatën herë gjatë karrierës së tij politike, Genc Pollo edhe se me gjasa shtetas amerikan, i kundërvihet diplomacisë amerikane dhe i bën leksion që ta largojë nga amatorizmi. Të gjitha rastet kanë të bëjnë me bëmat e mentorit të tij Sali Berisha, të cilat nuk janë miratuar nga administrata amerikane.

Në një shkrim të hallakatur të djeshëm të titulluar “Orë amatore për diplomacinë amerikane në Shqipëri” të botuar nga portali i Zenit, “biri plangprishë“ I Berishës (Pollo) pasi vlerëson këtë të fundit për kontributin e jashtëzakonshëm në marëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën, godet amabasadorët amerikanë Lu dhe Kim se kanë qënë jo vetëm të gabuar në trajtimin e Berishës, por kanë mbajtur hapur anën e figurave të korruptuara socialiste me Ramën në krye. Pollo arrin deri atje sa krahason mbështetjen që amerikanët kanë dhënë për diktaturat e djathta gjatë “Luftës së Ftohtë“ me mbështetjen që po ju japin tani kundërshtarëve të Berishës.

Por le të kthehemi në vitet 1996 -1997, kur ishte përplasja e parë e Berishës me amerikanët. Erdhi për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve të vitit 1996 dhe nxitjes së firmave piramidale nga ana e Berishës. Berisha nuk hezitoi ta zhyste vendin në kaos dhe pas Gazidedes, Pollo ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në krimet e atij viti. Gjatë gjithë kohës, me ambicien se mund të vinte në krye të PD-së, Polloja përsëriti refrenin e Berishës për kundërevolucion komunist të ndihmuar nga lobi grek në Uashington. Në qarqet e PD-së Saliu dhe ndihmësi i tij flisnin hapur për “komunistët e Klintonit”.

Si figura numur dy në PD, ai vazhdoi të mbështeste Berishën në puçin e shtatorit 1998 dhe ishte i pakënaqur me thirrjen që i bëri ambasadorja Mariza Lino Berishës për të mos shkuar në televizion se SHBA nuk do e njihte. Në fund të viteve ’90, kur mendonte se ishte forcuar dhe mund të merrte drejtimin e PD-së u përfshi në përplasjen e rradhës “Berishë kundër Nr-2” dhe përfundoi bashkë me Tritan Shehun në një parti pa elektorat.

Karakteristikë e Pollos është se mund ta bëjë të zezën të bardhë, kur mendon se e ndihmon sadopak karrierën e tij në politikë (jo për dashurinë që ka për politikën, por për frutet e saj)dhe edhe pse e njeh më mirë se kushdo Berishën dhe di edhe se sa të drejtë kanë ambasadorët amerikanë, nuk stepet të ngjyejë në bojë penën e tij të thyer. Për të diplomatët amerikanë janë jo vetëm amatorë, por po dëmtojnë edhe interesat amerikanë në Ballkan, sepse po ju bie popullariteti në Shqipëri!

Popullariteti i Amerikës në Shqipëri nuk ka ardhur nga Berisha, por nga vuajtjet që populli shqiptar ka pasur nën Diktaturë. Shqiptarët e kanë ditur dhe dinë se nga gjeopolitika amerikane kanë pasur veç të mira dhe edhe kur nuk votojnë për të djathtën (tamam të djathtë nuk ka tek ne) nuk lëkunden në besimi tek Shtetet e Bashkuara.

Kim dhe Lu nuk kanë nevojë për leksionet e Pollos, sepse kanë mbaruar universitete shumë të mira në Perëndim. Edhe Pollo diçka ka mësuar, jo në “filoqyl”, por gjatë karrierës së tij në politikë. E keqja është se ka qënë një dinak që ka mësuar vetëm të ligat.

No comments:

Post a Comment