Monday, 6 December 2021

Zelli i “misionarëve”


Misionarët kanë qënë dhe janë të ngarkuarit nga një institucion fetar për të përhapur fenë (kryesisht Krishtërimin) në vende të reja, pagane ose jo. Besimtarë të zellshëm dhe të devotshëm, në më të shumtën e rasteve misionarët kanë dashur të marrin vet[ përsipër misionin e shenjtë dhe t’ja arrijnë edhe duke sakrifikuar jetën. Pjesa më e madhe e tyre e kanë bërë duke ju mësuar Biblën “të egërve” dhe bashkë me të edhe shumë zakone të mira jetësore nga ndalimi kanibalizmit, i martesave brenda familjes dhe deri në profesionet dhe zejet e thjeshta. Sigurisht që kanë qënë të bindur dhe pa asnjë dyshim në misionin e tyre, gjë që ka bërë shumë prej tyre të humbin jetën nga sëmundjet, aksidentet apo edhe nga luftimet mes tribuve. Të palëkundur se po përhapnin “dritën e Perëndisë“ në të cilën kanë besuar dhe besojnë pa patur dyshime.

Të ngjashëm me misionarët kanë qënë edhe komisarët sovjetikë dhe ata të vendeve të tjera komuniste. Të bindur në idealin e tyre dhe në filozofinë marksiste, që ishte i vetmi spjegim i drejtë dhe shkencor i universit dhe i shoqërisë njerëzore, komisarët propagandonin në fshatra e qytete komunizmin që do shpëtonte botën. Nga shtyllat kryesore të propagandës ishte lufta kundër feve dhe mënjanimi i Zotit nga botëkuptimi i njerëzve. Komisarët nuk ishin të sakrificës si misionarët, se pjesë e besimit të tyre të ngushtë ishte edhe dëshira për të bërë karrierë në Parti dhe në organizmat qeveritare, që përkthehej në një jetë më të mirë për familjet e tyre. Komisarët nuk e pësuan nga sëmundjet, aksidentet, por kryesisht nga luftimet mes “tribuve” brenda Partisë Komuniste.

Në mijëvjeçarin e ri ka një tip të ri “misionarësh” të vetëngarkuar me misionin për të përhapur “dritën e ateizmit”. Të bindur në filozofinë e tyre, që është një lloj amalgame mes marksizmit, iluminizmit, humanizmit dhe darvinizmit social, “misionarët ateistë“ kanë përqafuar misionin e hapjes së syve të “besimtarëve fanatikë“ se jo vetëm që “Zoti ka vdekur” (e thënë shumë vite më parë nga Niçeja), por që gjithë të këqijat njerëzimit i vinë nga institucionet fetare. Me formimin e tyre gjysmak filozofik dhe historik qëmtojnë në të gjitha ngjarjet që demaskojnë klerikët duke nisur me nxitjen e terrorizmit, pedofilinë, përfshirjen në politikë, shtrembërimin e fakteve dhe plot ngjarje të tjera të shëmtuara të pranishme në të gjitha rrethet e e shoqërive njerëzore të të gjitha kohërave. Shikimi bardhezi i ngjarjeve, dukurive dhe personaliteteve i bën që mos venë në dyshim ndonjëherë ato që predikojnë. As të mendojnë gjërë e gjatë se si mund të jetë një botë plotësisht ateiste. Në majë të gjuhës kanë përgjigjen: ” E ka thënë Xhon Lenon në “Imagine”!”

Dysho! (edhe në ato që mendon) shkruante Spinoza, një nga mendjet më të ndritura të Njerëzimit. Por “misionarët” këtë e kanë të vështirë ndoshta nga dembelizmi intelektual, ose se tremben se mund të lëkunden në besimin e tyre ndaj dhe gërmojnë e gërmojnë fakte të rëndësishme dhe të parëndësishme që ilustrojnë botkuptimin e tyre intrasigjent rreth botës dhe shoqërisë njerëzore.

Kështu ju ndodhte misionarëve edhe gjatë seksit. Nuk ishin në gjendje të përdornin pozicion tjetër veç atij “misionar”.

No comments:

Post a Comment