Wednesday, 29 December 2021

Antiamerikanizmi i ish-bllokistave


Më duket se shumë prej nesh mbartim ende reminishenca prej kohës së Diktaturës në qëndrimin që mbajmë ndaj gjithë dukurive të SHBA dhe në mënyrë të veçantë ndaj politikës së saj. Na vjen nga inati që kishte sho Enver me amerikanët apo nga një ndjenjë për t’u përballur me Goliadhin (nuk ekziston një kompleks i Davidit), a ndoshta nga një përzjerje e të dyjave, por fakti është që në brezin tim kjo është shumë e pranishme. Rreth 15 vjet më parë, një kolegu im shqiptar, i cili jetonte në Amerikën e Veriut më spjegonte me këmbëngulje se e ardhmja si superfuqi dominuese i takonte Europës së Bashkuar. Edhe pse i thoja se fuqia ekonomike dhe ushtarake e SHBA është disa herë më e madhe se e Europës dhe se kjo e fundit është shumë e copëtuar për t’ju afruar sadopak Amerikës, ai nuk tutej nga e tija dhe më thoshte se do e shihja brenda 5-6 viteve.

Më është krijuar përshtypja se mllefin ndaj amerikanëve e kanë më të madh fëmijët e ish-Bllokut.Edhe pse nuk njoh shumë prej tyre, por vetëm nga shkrimet e dy analistëve të ndershëm, Fatos Lubonja dhe Andi Bushati, më duket se është një hamendje jo fare në hava. Për antiamerikanizmin e Lubonjës kam shkruar edhe herë të tjera ndaj nuk po zgjatem me të, por po cek disi atë të Bushatit, që është shfaqur shumë haptas gjatë dy-tre vjetëve të fundit.

Bushati i akuzon amerikanët për përzjerje të hapur në punët e vendit tonë, për moskonseguencë në qëndrimet ndaj figurave politike shqiptare dhe për dëmtim të drejtpëërdrejtë të demokracisë shqiptare. Sulmet e tij drejtohen jo vetëm ndaj ambasdaores Kim, por edhe ndaj gjithë administratës amerikane dhe së fundmi edhe ndaj Hillëri Klinton, për kohën kur si sekretare shteti kishte vizituar vendin tonë. Sulmet janë itensifikuar pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe jo sepse Bushati është pro-Berishë, por sepse amerikanët nuk e shpllën “non grata” atëhere kur theshte Bushati!

E vërteta është se amerikanët edhe pse nuk janë “të rënë nga qielli”, në tridhjet vitet e fundit kanë kontribuar më shumë dhe kanë gabuar më pak se europianët për demokracinë dhe ngritjen e institucioneve të saj në Shqipëri. Nuk di të ketë ndonjë rast të qartë të aplikimit të standarteve të ndryshme, kur është fjala për politikanët shqiptarë. Dhe koherenca në këtë politikë është ndjekur nga administratat republikane dhe demokrate në mënyrë thuajse identike.

Administrata e Bushit (plak) ishte një ndihmëse e madhe e forcave antikomuniste, administrata e Klintonit ishte garantuese e zgjedhjeve të lira dhe kundër marrjes së pushtetit me dhunë, administratat e Bushit (djalë) dhe Obamës këmbëngulëse në stabilitetin dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe dy administratat e fundit me vëmendjen të përqëndruar në ndryshimin e shtyllës juridike të shtetit.

Ç’duhet të bënin amerikanët sipas Lubonjës dhe Bushatit?

Idea e tyre është se duhet të mos mbështesnin Berishën pas Gërdecit dhe 21 Janarit dhe më shumë akoma nuk duhet të mbështesnin Ramën pas skandaleve të drogës dhe korrupsionit të madh gjatë dy mandateve të tij. Si rrjedhojë nuk duhet të kishin shpallur “non grata” Berishën sepse kjo dobëson opozitën dhe i zgjat jetën Ramës.

Sigurisht që amerikanët nuk veprojnë me të njëjtën logjikë “drejtësie” si mund të veprojnë analistët në Shqipëri. Ata jo vetëm që në rradhë të parë shohin interesat e tyre, por duke i parë problemet në një kuadër më të gjërë dhe duke qënë larg emocioneve veprojnë më mirë edhe në interes të Shqipërisë. Goditja e tyre ndaj Berishës në kohën kur ishte kryeministër, qoftë për Gërdecin dhe qoftë për 21 janarin do sillte mungesë stabiliteti në një vend me demokraci hibride, ku stabiliteti dhe jo zgjedhjet e parakohëshme ndihmojnë. Për më tepër në rastin e 21 janarit, përpjekja e PS-së ishte e dhunshme dhe provokuese, e ngjashme me protestën e 6 janarit në Amerikë. Edhe në 6 janar u vranë njerëz në Uashington. Me këtë nuk dua të justifikoj veprimin prej krimineli të Berishës, por i përmbahem idesë se amerikanët nuk veprojnë me dy standarte.

Le të prekim edhe qëndrimin e amerikanëve ndaj Ramës, i cili është vërtet kryeministri më i korruptuar shqiptar. Ramën nuk e sollën në pushtet amerikanët dhe as është detyra e tyre ta rrëzojnë për shkak të korrupsionit dhe të tregëtive të drogës. Për më tepër në Shqipëri nuk ka alternativa politikanësh me mbështetje në elektorat dhe që të mos jenë të korruptuar. Tek Rama, në ndryshim nga Berisha dhe Meta, ata gjetën një partner që u zotua se do ndiqte projektin amerikan për të spastruar sistemin gjyqësor të stërmolepsur shqiptar.

Ja pse amerikanët duan t’i largojnë sa më shpejt nga politika shqiptare Berishën dhe Metën.

Ata janë të ndërgjegjshëm që një sistem i ri drejtësie nuk do jetë plotësisht i pavarur dhe as plotësisht i pakorruptueshëm. Por është diçka e domosdoshme për demokracinë Shqiptare. Drejtësia e re hap pas hapi do i heqë edhe disa nga bashkëpunëtorët Ramës, si dhe fondet e mëdha që siguronte nga tregëtia e drogës dhe korrupsioni i jashtëzakonshëm.

Këtë nuk arrrijnë ta shohin Lubonja dhe Bushati edhe pse janë shumë pranë “vendngjarjes”, por edhe se kanë dëgjuar plot përralla antiamerikane në fëmijërinë e tyre nga Todi, Hysniu, Vitoja dhe Mehdia.

No comments:

Post a Comment