Sunday, 12 December 2021

Si mund të krijohet një opozitë kundër Ramës?


Shqipëria ka nevojë për një opozitë ndaj Ramës dhe partisë së tij, e cila është në pushtet. Eshtë më mirë të thuash se janë të nevojshme dy lloje opozite, njëra e Majtë dhe tjetra e Djathtë, pasi vetë Rama nuk ka dhe as nuk ndjek një program të caktuar ideologjik. Partia e tij është një repart i përbërë nga karrieristë, opportunistë dhe fanatikë, të cilët janë në gjendje të sigurojnë vota të mjaftueshme për t’a mbajtur në pushtet.

Eshtë e domosdoshme krijimi i një partie, ose lëvizjeje të natyrës social-demokrate, e cila do kërkojë me ngulm krijimin dhe funksionimin e sindikatave, decentralizimin e pushtetit, mbrojtjen e minoriteteve dhe mjedisit dhe mbi të gjitha mbrojtjen e interesave të punonjësve dhe shtresave në nevojë. Nuk ka parti në Shqipëri , e cila e bën këtë dhe Rama jo vetëm ndjek një politikë në favor të ashtuquajturve “oligarkë“, por edhe shprehet hapur që është kundër lëvizjes sindikaliste.

Po në të njëjtën shkallë është e domosdoshme të krijohet një parti (lëvizje) e djathtë e cila të bazohet në vlerat e konservatorizmit atlantik dhe që ka si shtylla lirinë ekonomike, aparatin shtetëror të vogël e të decentralizuar, taksat e ulëta dhe mbrojtjen e vlerave të familjes dhe shoqërisë shqiptare. Partia Demokratike edhe pse hiqet se është e tillë, në praktikë ka treguar se është shumë larg këtyre vlerave.

Duket si një punë titanike, e cila kërkon kohë, njerëz dhe mjete financiare, por është e vetmja mundësi për të mos i zgjatur jetën këtij regjimi kleptokratik. Ndoshta sytë duhen hedhur jo shumë larg, por në Kosovë, ku me gjithë problemet, duket se spektri politik është më I plotë dhe ka forca në të dy krahët që i kundrvihen politikanëve hajdutë të 15 vjetëve të fundit.

Për fat të keq këtë gjë shumë pak e kuptojnë në Shqipëri mes atyre, që flasin me zë të lartë dhe i dëgjojnë. Edhe analistë të paanshëm dhe kundër Ramës si Fatos Lubonja, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati e kanë më të lehtë të kritikojnë ambasadoren amerikane dhe Departamentin e Shtetit, se sa të mobilizojnë mendërisht njerëz me orientime të ndryshme politike kundër armikut të vërtetë të demokracisë shqiptare, që është kleptokracia pa parime ideologjike.

Nëse do të rrëzosh Ramën, nuk mund të mbrosh as Bashën, as Berishën dhe as Metën dhe aq më pak partitë e tyre. Duhet të dalësh në televizione dhe rrugë si Bepe Grilloja para 15 vjetësh në Itali dhe të klithësh “Të gjithë në shtëpi!”

Klasa ekzistuese politike shqiptare është thellësisht e korruptuar dhe pa asnjë lloj parimi!

Nuk ka se kë të përzgjedhësh me Ahmetajve, Çuçëve, Pollove, Braçeve, Dumave, Peleshëve, Kryemëdhenjve, Veliajve, Bylykbashëve, Topallëve, Spahijve e me rradhë.

Nëse shoqëria shqiptare nuk është në gjendje të krijojë ende një lëvizje të tillë, atëhere do duhet të presim deri në bashkimin me Kosovën për t’u emancipuar politikisht.

Ndoshta nuk do jetë më larg se pas 10 vjetësh!


No comments:

Post a Comment