Saturday, 11 December 2021

Bota “e errët” e telefonave të dhjetorit 1990 (fund)


 (vijim)

Sot është më i mundshëm një gjykim pa emocione edhe pse me shumë hamendësi për ato çka ndodhën në Tiranë dhjetorin e vitit 1990. Një pjesë e mirë e protagonistëve kanë vdekur dhe ata që janë gjallë nuk duan të hedhin dritë mbo atë që në të vërtetë ka ndodhur, ku përfshihen telefonatat, takimet sekrete, udhëzimet e njerëzve me lidhje të drejtpërdrejta me Ramizin dhe njerëzit e afërt të tij. Por ka një dukuri, e cila nuk përmendet kurrë dhe që për mendimin tim është sinjifikative, sepse ndryshon nga fazat e tjera historike të Shqipërisë. Shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk u përzjenë dhe as nuk u ftuan kurrë të merrnin pjesë në ndryshimet politiko-shoqërore të vendit.

Ndryshe nga ç’kishte ndodhur gjatë Rilindjes Kombëtare dhe pas Luftës së Parë Botërore, ku shumë atdhetarë shqiptarë kishin lënë Kairon, Bulureshtin, Stambollin dhe Amerikën për të ngritur lëvizjen dhe shtetin kombëtar, asnjë atdhetar shqiptar me banim në Kosovë, Zvicër, Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara nuk u përfshi në ndryshimet që zunë fill në dhjetor të vitit 1990. Ata që drejtonin opozitën u kujdesën që askush nga jashtë, që mund të njihte më mirë pluralizmin partiak, ekonominë e tregut apo marëdhëniet parlament-qeveri etj. të bëhej pjesë e opozitës. Sigurisht që kjo ishte edhe dëshira dhe ndoshta porosia e komunistëve të Ramiz Alisë. Kampet politike do mbeteshin tërësisht pronë e atyre që jetonin brenda vendit. E njëjta dukuri vazhdon të jetë në fuqi edhe sot në Shqipëri, ku të dy partitë kryesore i tremben si djallit, diasporës shqiptare.

Atdhetarët shqiptarëqë jetojnë jashtë përgjithësisht janë më mendjehapur, më tolerantë dhe më pak të manipulueshëm se ata që jetojnë brenda vendit. Eshtë e vështirë t’i mbash në kontroll duke ju bërë shantazhe me dosje apo me kërcënime të tjera. Ndaj edhe peisazhi politik shqiptar është shumë herë më i varfër se ai i fillimit të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Mungojnë personalitetet e shkolluara mirë dhe me integritet. Nëse tani nuk mund të bëhet më fjalë për “telefonata” nga Sigurimi i Shtetit, apo nga “shoku filan” i Komitetit Qëndror, trysnitë vijnë nga mesazhet dhe telefonatat e atyre që janë pranë Edit dhe Saliut apo pranë Metës dhe Bashës.

Lëvizja prokapitaliste në Shqipëri u mboll keq dhe nga duar të këqija.

Gjithashtu nuk ka qënë asnjëherë e lirë, edhe pse mund të ketë patur periudha të një kontrolli kaotik. Një kontroll i plotë nga një kupolë e vetme nuk ka qënë asnjëherë i mundur, por ajo u drejtua në një shtrat të caktuar, i cili nuk e lejonte të jepte rezultat e duhura në të mirë të shoqërisë shqiptare. Një privatizim shumë i keq, një praktikë e kthimit të pronave shumë e keqe, një dekomunistikim shumë i keq i shoqërisë, bënë që vendi për 30 vjet të mbetej në një gjendje të amullt korrupsioni dhe krimi të organizuara, e cila ka bërë që mos rreshtë asnjë çast dëshira e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi.

Si përfundim duhet thënë hapur:

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

Një vend I vogël dhe i varfër, me një histori shumë të shkurtër të shtetit dhe të pluralizmit, me një traditë të dobët të pushtetit juridik, i izoluar gjatë nga bota e huaj, me një “tekstil” të çoroditur shoqëror, i kontrolluar deri në qelizë nga Partia dhe Sigurimi nuk mund të “prodhonte” një shoqëri të emancipuar, të hapur dhe të lirë, të ngjashme me ato të vendeve të Europës së Veriut.

Pjesët kryesore të shoqërisë shqiptare kanë të nevojshëm “idhujt drejtues” dhe porositë që ju vijnë direkt dhe indirekt nga ata. Mungesa e klasave dhe shtresave shoqërore, si dhe ndryshueshmëria e shpejtë e tyre bëjnë që individët mos ndjehen kurrë të lirë dhe të sigurt. Këta individë nuk janë në gjendje të mendojnë e të veprojnë me kokën e tyre, por do presin gjithmonë se ç’udhëzim do ju vijë nga lart dhe që përputhet me interesat e tyre imediate.

Ndaj edhe pse duhet nderuar lëvizja që lindi për kaldajën e Qytetit Studenti dhe për mungesën e dritave, ajo duhet zbritur nga piedestali ku e kanë vënë sepse ishte e manipuluar, e kontrolluar dhe rezultoi në një Shqipëri me kaldaja dhe me drita, por nga e cila njerëzit vazhdojnë të ikin.

Këtë ka bërë “bota e errët e telefonave”

No comments:

Post a Comment