Për korçarët, Themistokliu ishte burri i shtetit, me pamje serioze dhe me qëndrim dinjitoz, që shoqëronte me vështrim shëtitjet e qytetarëve në qytetin e tij në paqe. Ashtu e kishte konceptuar dhe realizuar skulptori Odhise Paskali, me fondet e dhuruara nga qytetarët e Korçës. Tek Themistokliu shkonim për të dalë fotografi, po aq sa dilnim edhe para simbolit tjetër të Korçës, Ushtarit të Panjohur. Themistokliu ishte i njohur dhe i dashur për të gjithë.
Republika Autonome e Korçës ishte shprehje e vullnetit të
korçarëve për të mos lejuar, që krahina e tyre t’i aneksohej Greqisë.
Themistokli Gërmenji ishte udhëheqësi i qytetarëve të Korçës. E kishin shpallur
“non grata” në Greqi bashkë me të vëllanë, vite më parë se të fitohej Pavarësia.
Pikërisht se ishte shqiptar i flakët dhe luftonte për Shqipëri.
Mund të flitet shumë për veprimtarinë e tij në Manastir, Korçë
dhe Selanik, por dua të prek ditët e fundit të tij dhe qëndrimin disi të
dyshimtë të qeverive shqiptare ndaj kësaj figure madhështore.
Pas Luftës së dytë Botërore, deri në vitin 1967,
Themistokliut nuk i ishte dhënë vendi i merituar nga qeveria e asaj kohe. Vetëm
në 50 vjetorin e vrasjes, Shkollës së Re, ju vu emri “Themistokli Gërmenji”.
Por edhe në atë kohë ai nuk u vlerësua me titullin Hero i Popullit, titull që
ju ishte dhënë shumë atdhetarëve të tjerë me më pak kontribut në Mëvetësinë
shqiptare. Korçarët që e njihnin mirë historinë ishin të zhgënjyer nga ky qëndrim
zyrtar, i cili justifikohej me dosjen e shtetit francez rreth hetimit dhe dënimit
të tij me vrasje. Dosja kishte një afat shekullor që të hapej. Vetë Korça e
kishte dalluar nga bijtë e saj më të mirë si Mihal Grameno, Sotir Peci, Shahin
Kolonja, Fehmi Zavalani, Orhan Pojani dhe dhjetra atdhetarë të tjerë. Shtatoren
e pat ngritur në qendër të qytetit. Por nuk mendonin kështu shqiptarët jashtë
Korçës, që kishin në dorë titujt.
Në vitin 2017, shteti francez duhet të ketë hapur dosjet
ushtarake të Luftës së Parë Botërore, ku bën pjesë edhe dosja e gjyqit të
Themistokliut para një gjykate ushtarake franceze. Ende shteti shqiptar nuk
duket I interesuar të dërgojë studiues që do e përkthejnë dhe bëjnë publike
dosjen e Themistokli Gërmenjit. Dihet që ai u ekzekutua se bashkëpunonte me
austro-hungarezët, që ishin në luftë me Francën në ato vite.
A e tradhëtoi Themistokliu Francën?
Një figurë fisnike dhe e pakompromis si ai ishte besnik vetëm
e vetëm i Shqipërisë dhe Korçës. Nëse pat zhvilluar bisedime me austriakët, e
ka bërë për të garantuar fatin e krahinës së tij, në një skenar të mundshëm të
fitores së luftës nga austriakët. Por këto janë hipoteza, të cilat e ka për
detyrë t’i sqarojë qeveria shqiptare.
Themistokliu është i joni, i paqtë, trim dhe i sakrificës.
Ndaj i gjithë qyteti ka mbi një shekull që përulet me nderim
para shtatores dhe kujtimit të tij.
No comments:
Post a Comment