Thursday, 16 December 2021

A ka konservatorizëm në politikën shqiptare?


Disa analistë të politikës shqiptare këmbëngulim në vendosjen e konservatorizmit në Shqipëri, duke kërkuar të ketë një lloj konservatorizmi të ngjashëm me atë të Europës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut. Një pjesë prej tyre, në mënyrë shabllone pretendojnë se konservatorizmi nuk duhet të bëjë transformime radikale, por përmirësime të vogla, hap pas hapi sikundër është në natyrën e tij.

Po a ka konservatorizëm në politikën shqiptare?

Ka dhe ai është një konservatorizëm kokëposhtë nëse e krahasojmë me konservatorizmin klasik europian.

Nëse tek europiani, shtyllat janë ruajtja e institucioneve fetare, shtetit parlamentar dhe të drejtës të pronësisë, “konservatorizmi shqiptar” ka të bëjë me ruajtjen e institucioneve dhe mendësisë të periudhës së Diktaturës – injorim i institucioneve fetare, shtet autoritar dhe e drejta e diskutueshme e pronës.

Ky konservatorizëm udhëhoqi privatizimin e shtrembër, ligjin 7501 për pronën, instaloi udhëheqës autoritarë në krye të partive dhe nuk ju dha asnjë ndihmë institucioneve fetare. Madje nën qeverisjen e Ramës, forca e qeverisë për të shpronësuar u rrit në mënyrë të paimagjinueshme për një vend perëndimor. Kuptohet që për këtë të fundit qëllimet nuk janë ideologjike, por korruptive e megjithatë kemi një konservim të “ligjeve dhe institucioneve” të kohës së Diktaturës edhe pse në një masë më të vogël. Gjatë tridhjet vjetëve u godit në mënyrë të vazhdueshme nga politika dhe mediat, kisha ortodokse, i vetmi institucion fetar i organizuar dhe i drejtuar mirë, ku mungonin skandalet. Pak u bë për të ndihmuar myslimanizmin e moderuar dhe sektin bektashi, që janë në rrënjët e konservatorizmit shqiptar.

Shqipëria ka nevojë për një transformim rrënjësor të politikës, që ka të bëjë jo vetëm me konservatorizmin klasik por edhe me liberalizmin klasik, të dyja jo të pranishme në spektrin politik. Ka nevojë për institucione fetare të fuqishme dhe me ndikim, ka nevojë për sindikata dhe organizime të ngjashme profesionale, ka nevojë për ligje të forta në mbrojtje të pronës dhe të të drejtave të njeriut, ka nevojë për institucione vendore të forta dhe me kompetenca.

Dy partitë kryesore nuk janë as liberale dhe as konservatore, por janë dy parti me një mendësi të theksuar “konservatore social-komuniste”, që kanë synim vetëm e vetëm marrjen e pushtetit dhe përfitimet e tij dhe asnjë ]ast nuk kanë menduar për transformimin e shoqërisë shqiptare, jo se nuk dinë, por se nuk duan.

No comments:

Post a Comment