(vijim)
Me një fjalë nuk kishte deri në prag të dhjetorit asnjë
shënjë se po organizohej një grupim politik apo një lëvizje as mes
intelektualëve në Tiranë, as mes të rinjve dhe as mes të deklasuarve dhe të
përndjekurve për të ndjekur shembullin e shoqërive të Europës lindore. Çdo
sinjal pritej nga lart, kryesisht nga Ramiz Alia dhe bashkëpunëtorët e tij të
afërt. Ishin po nga lart ku thurreshin mesazhet kontradiktore jo zyrtare se
“Ramizi do të bëjë ndryshime po nuk e le Nexhmija me konservatorët”, “të huajt
nuk do ndërhyjnë në Shqipëri se duan ta lenë si shembull negativ të sistemit
socialist për popujt e tjerë“ dhe “ne nuk jemi as Lindje dhe as Perëndim.”
Por sigurisht që gjatë gjithë vitit kishin “valuar”
telefonat e zyrave dhe ato të shtëpive me këshilla, porosi, presione, urdhëra,
sugjerime dhe vjelje mendimesh apo edhe përgatitje skenarësh.
Fakti ishte që 99% e
popullsisë të qyteteve, përfshi edhe vetë fëmijët e byroistëve ishin të pakënaqur
dhe prisnin reforma rrënjësore për të përmirësuar gjendjen ekonomike.
Mund të thuhet me siguri se në qarqet e larta të Partisë nuk
ekzistonte mundësia e një komploti për të rrëzuar ose vrarë Ramiz Alinë, sepse
edhe ata më konservatorët e dinin gjendjen e mjerueshme të thesarit të shtetit
dhe pamundësinë për të marrë diku ndihma ekonomike që t’i mbanin më këmbë. Ndaj
hezitimi për të bërë reforma vinte nga pavendosmëria e Alisë, si edhe nga një
stepje dhe mosorganizim i gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare. Në
mbledhjen e gushtit me intelektualët(thuajse të gjithë komunistë), dukej që Ramiz
Alia mezi priste ngritjen e tyre në grup për të kërkuar pluralizëm, por frika
dhe padija e tyre nuk i linte të kërkonin në kor vendosjen e pluralizmit
politik dhe rihapjen e institucioneve fetare. Çuditërisht Ramiz Alia e bëri këtë
lëshim shumë shpejt pas takimit me studentët në dhjetor të atij viti, pra katër
muaj më vonë.
Po si ndodhi që javën e parë të dhjetorit, studentët
konviktorë u ngritën në një protestë, që vetëm në pak ditë do sillte ndryshimin
e historisë së Shqipërisë?
A luajti rol “bota e errët e telefonave” në Tiranë?
Nga dokumentat sekrete të Ministrisë së Brendëshme rezulton
se gjatë nëntorit ka sinjalizime nga Drejtoria 3 e MPB, për një revoltë të
mundshme të konviktorëve gjatë festimeve për 28-29 nëntorin. Studentët u dërguan
në shtëpi për festat dhe festimet në Tiranë u bënë të kufizuara. Regjimi po
mundohej të orientohej në situatat e reja ndërkombëtare dhe duke pritur sidomos
zhvillimet në Bashkimin Sovjetik, ku popullariteti i Gorbaçovit ishte në rë rënie.
Gjithashtu vëmendja botërore nuk ishte e drejtuar aspak ndaj Shqipërisë për
shkak edhe të Luftës së Gjirit me Sadam Hyseinin.
Ndaj edhe lëvizja studentore ose ishte krejt e rastësishme,
ose duke parë se ç’rezultate arrriti në një kohë të shkurtër, ishte e organizuar
nga segmente të regjimit për t’i dhënë mundësinë Alisë të dilte në njëfarë mënyre
nga qorrsokaku politiko-ekonomik në të cilin ishte futur Shqipëria. Eshtë
interesante se protestat e organizuara nuk filluan nga rinia studentore e Tiranës,
që ishte edhe pjesa më e përparuar dhe më e mirëinformuar e rinisë shqiptare.
Kishte një kontradiktë, që regjimit edhe i duhej kohë për të
zgjatur ndenien në pushtet, por njëkohësisht vështirësitë ekonomike po bëheshin
të padurueshme për popullsinë dhe zgjatja e kohës nuk e ndihmonte klikën në
pushtet. Miopia politike e Alisë, Foto Çamit, Piro Kondit, Sofokli Lazrit dhe të
tjerëve, që konsideroheshin si më liberalë mes komunistëve ishte shumë e
pakuptueshme. E tillë që sot, kurora e dafinave si shpëtimtarë të Shqipërisë ju
atribuoet Azam Hajdarit, Arben Brocit, Akli Fundos, Shenasi Ramës apo Tefalin
Malshytit dhe të tjerëve pas tyre. Asnjëri nga të sipërpërmendurit nuk mund të
kishte formimin filozofiko-politik për të udhëhequr një “lëvizje revolucion”, që
brenda tre ditësh arriti një sukses , të cilin as vetë studentët nuk e kishin
menduar.
Bashkimi i disa pedagogëve me studentët nuk mund të ishte një
veprim krjetësisht spontan dhe i pavarur nga “telefonat”. Sali Berisha, Gramoz
Pashkoja ishin anëtarë partie dhe me plot lidhje miqësore dhe farefisnore me
bllokun. Lidhje të ngjashme kishin Arben Imami, Genc Ruli dhe ndonjë tjetër.
Mes lidhjeve të “klanit tropojan” të Mehmet Elezit u afruan edhe Besnik
Mustafaj dhe tropojanë të tjerë. Ishte një ndryshim i nisur thuajse nga Hiçi.
Nga mbajtja e protestës të izoluar në Qytetin e Studentit dhe në dekretimin e
menjëhershëm të pluralizmit dhe formimin e partisë së parë opozitare, ishte një
ortek politik shumë i çuditshëm dhe i pakrahasuar me ndonjë ngjarje tjetër të
ngjashme në botë. Më pas, me ndërhyrjen e “telefonave” u formua partia e dytë
opozitare nga Sabri Godo dhe Vangjush Gambeta, dy intelektualë që nuk ishin
thirrur në takimin e gushtit, po me lidhje me Ramiz Alinë me shokë.
“Telefonuat” funksionuan për të ngritur degët e PD-së në
rrethe atë dhjetor. Në Korçë, dy organizatorët e degës së PD-së dhe më vonë
deputetë ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. E njëjta tablo ishte
edhe në disa qytete të tjera të mëdha. Ndaj si e konstatuan me të drejtë në atë
kohë disa dissidentë të vërtetë si Kasëm Trebeshina “fëmija kishte lindur i vdekur”.
Nuk ishte fjala vetëm për PD-në por për të gjithë lëvizjen opozitare.
(vijon)
No comments:
Post a Comment