Monday, 27 December 2021

Epoka e “filoqylsave”


“Filoqyli” është një nofkë ndoshta në zhdukje e sipër, sepse i përket një fakulteti në kohën kur Tirana kishte vetëm një universitet. Quhej fakulteti Filologjik, ose më saktë i Histori-Filologjisë, ku studioheshin lëndët shoqërore të mësuesisë. Në rrethet e studentëve të viteve ’60 deri ’90 quhej “filoqyl” sepse pas Institutit të Fiskulturës konsiderohej si shkolla e lartë më e lehtë. Kjo jo vetëm e krahasuar me Shkencat e Natyrës, Inxhinieritë dhe Mjekësinë, por edhe me Ekonomikun.

“Filoqyli” jo vetëm nuk ishte i preferuari i nxënësve të shkëlqyer, por edhe mesatarët nuk e pëlqenin, sepse mundësia ishte shumë e madhe të emëroheshe mësues në një fshat të largët. Kishte raste që të rinj të zgjidhnin të bënin ushtrinë dhe të ktheheshin në qytet e të punonin si mekanikë, se sa të bëheshin mësues, që mund të rropateshin me dhjetra vjet fshatrave. Gjithashtu kishte vajza, të cilat zgjidhnin të bënin një kurs për laborante dhe të mos shkonin në “filoqyl”. E megjithatë mbetej fakulteti me numurin më të madh të studentëve dhe me vajzat më të bukura. Kjo, sepse nxënësit mesatarë dhe të dobët ishin shumë herë më shumë se të shkëlqyerit.

Ka patur diçka që mësuan mirë studentët e filologjikut, sepse pas vitit 1991 dhe më tepër në 25 vitet e fundit i gjen ata në majat e politikës shqiptare. Në mënyrë të veçantë pas largimit nga politika të inxhinierëve, fizikanëve dhe matematikanëve Aleksandër Meksi, Rexhep Meidani, Skënder Gjinushi, Kastriot Islami, Dashamir Shehi, Bashkim Kopliku, Jozefina Topalli, Mimoza Hafizi “filoqylsat” thuajse morën plotësisht në dorë jetën politike shqiptare.

Nuk duhen lënë mënjanë edhe të diplomuarit në Artet, të cilët edhe pse me një lloj talenti, mbaronin një shkollë ku nuk ngelej kurrë asnjeri. Edi Rama, Arben Imami dhe Blendi Gonxhe janë përfaqësuesit kryesorë të sundimit të “qylave”.

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë ishin në pjesën më të mirë të kohës “filoqylsa”. Paskal Milo, Arta Dade dhe Genc Pollo janë disa prej tyre. Nuk mund të lemë pa përmendur, edhe pse i mënjanuar tashmë, “filoqylsin” Ben Blushi, që për vite të tëra mburrej se ishte politikani më i zgjuar dhe më me kulturë në Shqipëri.. Por më tipikët dhe më të fuqishmit sot, në krah të Edi Ramës janë zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit edhe pse jo “filoqyls par excellence” ka bërë diçka të ngjashme në një universitet mediokër në Miçigan. Një rast interesant është ai i ministrit Çuçi, i cili shkoi në universitet në moshën 21 vjeçare dhe pikërisht në vitin 1991, kur fakulteti juridik dhe i gjithë Universiteti i Tiranës ishte në gjendjen më të keqe. Në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtën degë studio Damian Gjiknuri.

Mes deputetëve dhe ministrave ka pasur dhjetra filoqylsa të tjerë, ose “vagabondë“ me diploma të blera në Tiranë, Tetovë, Strugë, Korçë dhe Fier.

Ka diçka që i motivon “mediokrit” të shkëlqejnë në politikë dhe sidomos në një politikë vulgare dhe anakronike, të intrigave dhe prapaskenave, të rryshfeteve dhe mosmirënjohjes, sikundër është politika shqiptare. Nëse në rininë e tyre nuk kanë pasur shumë “fara në kokë“, kjo nuk përjashton zellin dhe fantazinë e tyre për të bërë karrierë duke i vënë bërrylat njëri tjetrit.

Ndaj “respekte” edhe për filoqylsit, që kontrollojnë jetën e shoqërisë shqiptare dhe bashkë me të edhe buxhetin e taksave që prodhon kjo shoqëri.

No comments:

Post a Comment