Për fat të keq të shqipëtarëve, Komandanti legjendar, ose më mirë miti i tij, është i pranishëm në jetën shoqërore dhe politike shqiptare. Në fillimin e viteve ’90 do më dukej e çuditshme, që miti i tij i posashkatërruar të ringrihej më vonë, por duhet të kisha bërë analogji me mitet e Hitlerit, Stalinit, Musolinit dhe Frankos, të cilët janë të pranishëm jo vetëm në vendet e tyre, por edhe në shumë vende të tjera në botë. Njerëzit parapëlqejnë të ushqehen me mitet e udhëheqësve të fortë, paçka se kanë qënë kriminelë dhe kanë shpënë në katastrofë pjesë të tëra të shoqërisë njerëzore.
Miti i Enver Hoxhës, i krijuar nga një grup i ngushtë rreth
tij dhe nga ai vetë, ishte ndërtuar mbi modelet e Stalinit dhe të Titos. Njeri i dalë nga populli, i dashur me
popullin, udhëheqës i luftës kundër pushtuesve nazi-fashistë, njeri i sakrificave
me mençuri të rrallë dhe me një ndjenjë të palëkundur drejtësie.
Makina e propagandës kishte sajuar gjithfarë ngjarjesh dhe
historish gjysëm të vërteta dhe të rreme që ilustronin thelbin e mitit të
Enverit. Me kalimin e viteve ju shtuan edhe dimensione të tjera si marksist- leninist
i shquar, strateg i revolucionit proletar, kokë e filozofisë dhe politikës botërore,
një pjesë e të cilave shkruheshin ose thuheshin në media dhe një pjesë tjetër
qarkullonte gojarisht nga nëpunësit e zellshëm partiakë, që tregonin për
suksesin e veprave të Enver Hoxhës në botë. Sa më tepër izolohej Shqipëria, aq
më “fantastiko-shkencore” bëhej figura e Enver Hoxhës.
Në të vërtetë Hoxha ishte shumë shumë larg mitit të krijuar.
Një njeri dembel, me veset e duhanit dhe të rendjes pas fustaneve të grave, që
urrente ushtrimet fizike, me një intelekt mesatar, por me një zgjuarsi “të rrugës”,
kishte ditur të “notonte” shumë mirë dhe pa u munduar në dallgët e jetës deri në
moshën 33 vjeçare, kur shumë e shumë nga bashkëmoshatarët e tij në Europë
kishin arritur kulmin e sukseseve në jetë. Mundësia që ju dha nga formimi I Partisë
Komuniste shqiptare dhe mungesa e forcave të tjera politike e bëri këtë “oportunist”
të klasit të parë të vinte në krye të një shteti me pak përvojë shtetare, me një
të kaluar gjysëm diktatoriale.
Sigurisht që nuk i duhet mohuar që arriti të qëndrojë në
krye të këtij shteti jo vetëm me terror, por edhe me shumë manovrime pa e
humbur kontrollin edhe në situata shumë të vështira. Dembeli i viteve ’20 dhe ’30
u kthye në një diktator të zellshëm dhe paranoiak, që duhet të mendonte shumë,
por edhe të punonte shumë për të qëndruar në pushtet edhe përballë komploteve të
mundshme të rivalëve të tij.
Më tepër se kujtimet e nostalgjikëve dhe kureshtja e të
rinjve për një emër diktatori të lakuar shumë në media, Enver Hoxhën në Shqipëri
e mban të gjallë modeli autoritar i drejtimit të shtetit i Sali Berishës dhe
Edi Ramës. Dy politikanë pa një filozofi ideore të caktuar, ata ngjasojnë në
shumë drejtime me oportunistin Hoxha. Kanë nën kontroll partitë e tyre dhe kanë
drejtuar dhe drejtojnë Shqipërinë me grusht të hekurt. I pari e kishte më të
lehtë të përdorte metodat e Hoxhës në denigrimin e kundërshtarëve dhe më pas në
përjashtimin e tyre, në kurdisjen e prapaskenave që kanë shpënë deri në vrasje të
kundërshtarëve politikë, sepse kishte jetuar gjatë në kohën e Partisë së Punës.
I dyti, u luhat një kohë deri sa arriti të shtinte plotësisht në dorë Partinë
dhe më vonë, hap pas hapi u kthye në një mini-diktator, por më frikacak se
Berisha se nuk arrin deri në komplote vrasjesh.
Ndaj prania e figurës më të errët të historisë shqiptare të
shekullit të XX-të do na shoqërojë edhe për disa dhjetvjeçarë të tjerë, deri sa
shoqëria të ketë arritur mirëqënie dhe emancipim të krahasueshëm me atë të shoqërive
të Europës Veriore, kur do ndjehet nevoja që në politikë të drejtojnë udhëheqës
liberalë, mendjehapur dhe jo paranoiakë dhe të paskrupullt si këta që kemi sot.
Deri atëhere do duhet të përtypim edhe fotot e Komandantit në
festime, edhe lakimin e emrit të tij për mirë ose keq, ose në mënyrën më të
njohur “pati gabime po bëri shumë për Shqipërinë.”
No comments:
Post a Comment