Sunday, 26 December 2021

Kush urdhëroi vrasjen e Idhomene Kosturit?


Ishte mëngjesi i të premtes, 5 nëntor, kur Idhomene Kosturi doli për herë të fundit nga shtëpia e tij në Durrës. Viti 1943. Disa të rinj e prisnin dhe njëri prej tyre, i quajtur Kolë Laku e ekzekutoi 70 vjeçarin duke e qëlluar me pistoletë prapa kokës. Në mënyrë të ngjashme i kishin vrarë grekët vëllanë Spiron në Selanik më 1906.

Po kush ishte Idhomene Kosturi, që duhet të vritej nga njësiti guerril i Durrësit?

Lindi në një shtëpi në qëndër të Korçës ( atje ku është sot pallati i MAPO-s), në vitin 1873. I jati ishte rilindasi i shquar Jovan Cico Kosturi, ndoshtat atdhetari më i njohur korçar, që jetoi gjihë kohën në qytet. Jovani ishte në qendër të vëmendjes të turqve dhe grekëve për shkak të ndikimit të madh që kishte në popullin e Korçës si njeri i ndershëm dhe i mençur. Qysh në vitin 1885 ai kishte formuar komitetin e fshehtë në Korçë për rizgjimin gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve, që solli hapjen e Mësonjtores së Parë disa shtëpi më sipër se ajo e Kosturëve. Pas vrasjes të dhespotit Fotis më 1906 nga çeta e Bajo Topullit, Jovan Cicon e arrestuan autoritetet turke dhe shovinistët grekë vranë për hakmarrje djalin e tij Spiron.

I rritur me këtë frymë atdhetare, Idhomeneja, pasi studio historinë e Amerikës dhe Gjermanisë në Universitetin e Bostonit, u kthye në Ballkan për të punuar për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij shtrihej sa në Korçë, Bukuresht, Selanik dhe Manastir. Më 1905 ai u zgjodh nënkryetari i Komitetit të fshehtë për çlirimin e Shqipërisë në Manastir. Ishte 27 vjeçar dhe njihte mirë anglishten, gjermanishten, turqishten dhe greqishten. Vrasja e të vëllait ishte hakmarrje jo vetëm ndaj veprimtarisë të të jatit , por edhe të tij.

Ky korçar i mençur, i mirëstudiuar dhe i zoti edhe në tregëti e kuptonte se jo vetëm arsimi në shqip dhe diplomacia mund të sillnin Mëvetësinë e Shqipërisë. Ishte jo vetëm pjesëmarës në Kongresin e Elbasanit më 1909, që do vendoste hapjen e Shkollës Normale, por gjatë luftës së parë Botërore formoi çetën e tij të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare.

Çuditërisht komunistët vendosën ta vrisnin nëntorin e vitit 1943. Ishte dikush që mund të vritej lehtësisht sepse nuk mbante “sejmenë“ pas? Ishte edhe një përpjekje për t’i marrë pasurinë? A i jepej një shënjë edhe Fan Nolit, që nuk do ishte i mirëpritur në Shqipëri?

Vendimi për vrasjen e tij ka mbetur në heshtje edhe gjatë viteve të Diktaturës. Idhomene Kosturi ishte nga figurat më të pastra të Rilindjes Kombëtare dhe të periudhës së formimit të shtetit shqiptar. Mik i ngushtë i Fan Nolit, në cilësinë e kryeministrit veprues, ai firmosi vendimin për shpalljen “non grata” të dhespotit grek të Korçës Jakovos, që ishte pengues për Kishën Autoqefale Shqiptare. Ishte zv.kryeministër në qeverinë e Nolit të vitit 1924 dhe shkoi pas tij edhe si pjesëmarrës i KONARE-s.

Në dallim nga shumë atdhetarë antizogistë, që u kthyen në Shqipëri me hyrjen e Italisë dhe morën poste në institucionet shqiptaro-italiane, ai qëndroi në Durrës ku merrej me tregëti pa u përzjerë në politikë. I vetmi veprim i tij i diskutueshëm politikisht ishte, kur pranoi që të zgjidhej si përfaqësues i Korçës në Asamblenë Kombëtare në tetor të vitit 1943. Ishte një gabim që e bënë shumë atdhetarë shqiptarë të gënjyer nga premtimi i gjermanëve për neutralitetin e shtetit shqiptar. Por pa u mbushur pesë javë, një ditë pasi ishte zgjedhur kryetar i Asamblesë, mes shumë e shumë shqiptarëve të angazhuar në institucionet e shtetit “neutral” shqiptar, pa pritur të kishte ndonjë veprim të mirëfilltë prej kuislingu, u zgjodh të vritej 70 vjeçari, që i kishte kushtuar gjithshka Shqipërisë.

Shteti komunist askurrë nuk e përmendi në historinë e bëmave të komunistëve gjatë luftës atentatin ndaj Idhomene Kosturit. Edhe emri i atentatorit Kolë Laku, i cili u kap dhe u dënua me vdekje, nuk është përmendur veçanërisht mes dëshmorëve, sikundër janë përmendur shumë të heronj të kapur dhe ekzekutuar nga pushtuesit italianë dhe gjermanë.

Përse ky mister? Dikush kishte gabuar rëndë dhe komunistët nuk dëshëronin të pranonin gabimin e rëndë?

Idhomoeneja mbeti i vrarë fizikisht më 1943 dhe i vrarë moralisht edhe pas 80 vjetësh.

Në vendin ku ngrihej shtëpia e Kosturëve nuk ka asnjë shënjë se atje janë lindur disa atdhetarë dhe martirë të Shqipërisë. Nderimi i fundit për Idhomene Kosturin ishte më 1943, kur u shpall një ditë zije kombëtare për të. Më pas Heshtja e rëndë dhe e gjatë, që ka rrezik të zgjatet përjetësisht.

No comments:

Post a Comment