Saturday, 11 December 2021

“Varrimi” i çuditshëm i Sali Berishës


“It’s the final countdown” (Eshtë i fundit numërim) ishte shtylla zanore e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të PD-së për të rizgjedhur Sali Berishën në krye të partisë së tij. Numurim zakonisht i përdorur për lëshimin e anijeve kozmike në hapësirë, që përkon me “groposjen e kufomës politike” të doktor Berishës.

Me një entusiazëm të zakonshëm të “foltoreve”, ose të ritualeve të tjera të përmortshme për të përcjellë figurën e Berishës në përjetësi, shqiptarët që vetquhen të djathtë, me një devocion që të sjell në mendje daljet dhe përcjelljen e Enver Hoxhës, votuan për të gjitha dëshirat e fundit të “të ndjerit politik”.

Në mënyrë të ngjashme me ceremonitë funebre në vendet perëndimore dhe sidomos në Amerikë, të pranishmëve ju paraqit edhe një “video-nekrologji” e 31 viteve të fundit të Berishës në politikë, ku spikasnin takimet me presidentët republikanë amerikanë. Një natë më parë edhe vetë Berisha në një ndërhyrje në emisionin “Opinion” të Fejzos, fliste për veten në vetën e tretë duke deklaruar se kush ishte Sali Berisha, ç’kishte bërë Sali Berisha dhe ç’do të bënte Sali Berisha.

Të binte në sy, se si në të gjitha varrimet shqiptare (sidomos të sekteve myslimane) shumica dërmuese ishin burra të veshur me xheke të zeza, por mungonin klerikët. Nuk mund të thuhet me saktësi se si ishte përqindja e grupeve përbërës të këtij manifestimi madhështor funebër, por grupet ishin si më poshtë:

·         Berihaistët – ata që shkojnë gjithnjë pas berihajt duke menduar se tani do ndodhë diçka e madhe që do ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

·         Dinakët- ata që mendojnë se mund të përdorin “të vdekurin politik” për të hequr qafe Bashën dhe më pas të marrin në kontroll PD-në dhe bashkë me të favoret që sjell politika nëse do qeverisin një ditë.

·         Budallenjtë - ata që nuk ndryshojnë dot kurrë mendje dhe këtë e quajnë si forcë të karakterit.

E pranishme ishte edhe “ndërkombëtarja” Evi Kokalari Angelakis, si përfaqësuese e Trump, ose si quheshin këto detyra në kohën e Napoleonit- “komisarja e jashtëzakonshme”.

Berisha e kishte përgatitur ngutshëm “varrimin e tij politik”, sepse kishte shumë gjëra që stononin, por dihet që në funerale bëhen gjithnjë gabime, se janë të papritura dhe nuk ka shumë kohë të përgatitesh. Ceremoni më të vogla do ketë për të 7-tat, të 40-tat, 6 muajt dhe deri sa të bëhet një vjetori dhe më pas emri i Berishës do mbetet në përjetësi si bashkëkryetar nderi i PD-së me tropojanin tjetër Azem Hajdari.

Çfarë do ndodhë me Bashën?

Tashmë Basha është një tjetër “kufomë politike”, por ende jo i gatshëm për të organizuar “funeralin” e tij, me shpresë se vizita në SHBA do e kthejë nga një manekin dylli në një udhëheqës karizmatik politik.

Ngushëllime familjes demokrate!

No comments:

Post a Comment