Saturday, 18 December 2021

Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka burra shteti


Eshtë një e vërtetë e hidhur, por vendi ynë nuk ka nxjerrë dot burra shteti. Ka pasur heronj, ideologë, mendje të ndritura dhe deri në gjenij, por nuk kemi pasur burra shteti. Më pranë një përcaktimi të tillë mund të jetë Ismail Qemali, sepse la Shqipërinë e Mëvetëme të njohur edhe nga Konferenca e Londrës, por edhe ai ishte një veprim jetëshkurtër, sepse mungonin shumë e shumë parametra të një shteti, përpos edhe situata ndërkombëtare nuk ishte e favorshme.

Burrat e shtetit nuk janë të shpeshtë edhe në kombet e mëdha, por janë ata që kanë ndryshuar epokat e një vendi dhe ç’është më e rëndësishme, pasi kanë qeverisur, kanë lënë institucione të qëndrueshme dhe shoqëri më të shëndosha se ato që kanë gjetur. Emrat janë të shumtë, por edhe në vendet fqinjë ka pasur të tillë si Mazini dhe De Gasperi në Itali, Venizellos në Greqi apo edhe Pashiç në Jugosllavi, të cilët janë nderuar nga popujt e tyre dhe një nderim i ngjashëm ju është bërë edhe nga shtetarët e vendeve të tjera. Tek ne edhe nëse analizojmë shkurtimisht politikanët më të suksesshëm si Ahmet Zogu, Fan Noli, Enver Hoxha, Sali Berisha apo Edi Rama, kush më pak dhe kush më shumë, asnjëri nuk përmbush dot cilësimin për tu quajtur “homme d’etat”.

Ahmet Zogu edhe pse ndenji gjatë në fuqi dhe krijoi institucionin e tij mbretëror, jo vetëm që e dëmtoi shoqërinë shqiptare me përjashtimin nga jeta politike të elitës opozitare, jo vetëm që nuk ishte në gjendje t’i rezistonte kolonizimit nga Italia, por edhe pas lufte nuk ishte i zoti të gjente mbështetje as në vend dhe as tek fuqitë e huaja.

Fan Noli, figura më interesante e historisë modern shqiptare, edhe pse me ide të mëdha për një shtet liberal pro anglo-amerikan jo vetëm nuk pati durimin e duhur për ta rrëzuar Zogun me zgjedhje, por nuk organizoi dot as më vonë një front të fuqishëm antizogist në mërgim.

Enver Hoxha si Diktator është automatikisht i përjashtuar nga mundësia për të qënë burrë shteti. Institucionet e shtetit të tij të egër, u shkatërruan në më pak se gjashtë muaj.

Nëse vimë në këta “lapangjozët” e kohës së ndryshimit të sistemit, me këta nuk kishte se si ndodhte ndryshe. Të varfër, pa ideale, pa shkollim politik,  oportunistë, tre katër emrat që ndenjën më gjatë në pushtet nuk po lenë as institucionin e thjeshtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme si trashëgimi dhe mos flasim pastaj për ndërtimin e një shteti demokratik të mbështetur në tre shtylla të pavarura të Ekzekutivit, Legjislativit dhe Gjyqësorit.

Ndaj le t’i mbyllim këto rrjeshta me vargjet e një bashkëkohësi mendjendritur, i cili gjithashtu nuk kishte formimin dhe karakterin për tu bërë burrë shteti:

Po nuk kish si të ndodhte ndryshe,

Të ndodhte ndrushe s’kish se si;

Duhet të zhdukeshin përbindshat,

Që në këtë tokë të vije ti.

No comments:

Post a Comment