Thursday, 30 December 2021

Për inat të Ramës sulmojnë Vetingun


Si thuhet rëndom nga anët tona « vetingu » me theksin tek i-ja, fjalë që është kopje e vetting (në anglisht- kontroll  hollësishëm, me theksin në zanorja e parë), kur u propagandua para 5 vitesh u duk se do ishte shpëtimi i shoqërisë shqiptare. Shumë njerëz ëndërruan se e drejta do vendosej, se korrupsioni do zhdukej dhe se kriminelët do përfundonin pas hekurave.

Nuk ndodhi kështu.

Sikundër thotë me të drejtë avokati im në Austri, një Drejtësi e përparuar mund të vendoset vetëm nga një shoqëri e përparuar. Për fat të keq ne nuk jemi një shoqëri e tillë. Arsyet janë të shumta dhe i kanë stërpërsëritur dhjetra shkrues (qatipë), ku mund të përfshihem edhe unë.

Shumë kundërshtarë të Ramës sot akuzojnë procesin e quajtur “Veting në drejtësi” për shumë e shumë probleme të shoqërisë shqiptare dhe sidomos për funksionimin e proceseve gjyqësore. Madje këta nuk janë vetëm kundërshtarë të Ramës, por edhe kundërshtarë të Berishës, i cili me të drejtë e ka sulmuar dhe sulmon Veting-un. Berisha e sulmon me të drejtë se ju hoq kontrolli që kishte mbi gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, shumicën e të cilëve i kishte vendosur vetë, ose nëpërmjet presidentëve të zgjedhur prej tij. Edhe pse ndikimi i tij në Drejtësi nuk është ende zero, mund të thuhet se edhe vetëm për këtë duhet vlerësuar proçesi.

Po a kaloi Drejtësia nga duart e Berishës dhe Metës në duart e Ramës? Edhe pse tani Rama ndikon më shumë në prokuroritë, gjykatat ose në SPAK-u se sa ishte në gjendje të ndikonte dy-tre vjet më parë, përsëri ndikimi i tij nuk mund të krahasohet me kontrollin që kishte Berisha. Për më tepër nuk mund të fajësojmë Veting për këtë. Nëse nuk do ishin larguar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar edhe Rama do e kishte më të lehtë t’i kalonte një nga një në krahun e tij. Rasti i prokurores-monstër të Tiranës, e cila ishte vegël e Berishës dhe tani e Ramës është ilustrimi më i mirë.

Veting dha sinjalet e para të « ndëshkueshmërisë«, largoji hajdutët kryesorë nga sistemi i drejtësisë dhe krijoi preçedentin e mostolerimit të korrupsioni galopant në sistemin juridik.

A krijoi probleme?

Më mirë se kushdo i dinë ata që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sistemin dhe qytetarët që duhet të shkojnë gjyqeve, por një gjë është e sigurt, se sekserët punojnë më në fshehtësi, se është më e vështirë të “kollitesh”, a të përmëndësh “zarfa”, “ilaçe”, “kafera” dhe të tjera nofka për rryshfetet e mëdha.

A u konceptua shumë rrënjësor dhe kësisoj la shumë vende bosh në prokurori dhe gjykata ?

Për mendimin tim, kur ke të bësh me një gangrenë, më mirë ta presësh sa më lart këmbën se sa të rrezikosh një gangrenizim të mëvonshëm. Dhe sistemi juridik në Shqipëri ishte i gangrenizuar. Këtë e di edhe Bufi, madje edhe një koleg i Bufit, që dikur pyeste nëse unë kisha mbaruar për jurisprudencë.

Ndaj është kryekëput gabim ajo që bëjnë “Lapsi” dhe të tjerë, që për inat të Ramës mallkojnë një proçes aq të domosdoshëm për shoqërinë dhe shtetin shqiptar.

 

No comments:

Post a Comment