Monday, 13 December 2021

Dhjetori si muaji i “korrjeve vjetore”


Në të gjithë botën, që ka qënë e kontrolluar nga krishtërimi, dhjetori është muaji i fundit i vitit, i festimit të Krishtlindjes, por gjithashtu edhe i llogaritjes së arritjeve materiale dhe shpirtërore të individëve, organizatave dhe vendeve. Eshtë gjetur një mënyrë për të ndarë kohën në etapa edhe pse rrjedha e saj është e njëjtë dhe nuk ka pse të ndahet në vite. Do kishte më tepër kuptim nëse bëhej fjalë vet[m për “korrjet” në bujqësi, se atje përgjithësisht ciklet natyrore janë vjetore, por njerëzimi ka zgjedhur këtë mënyrë për shumicën e shoqërive të tij. (Të tjera “dhjetore” kanë kinezët, hebrenjtë,myslimanët dhe lëkurkuqtë e Amerikës.)

Për shoqërinë korçare të para luftës së dytë, muaji dhjetor ishte vërtet një muaj i këndshëm, sidomos për ata që merreshin me bujqësi dhe për “të kamurit”. Në dhjetor fillonte jeta e qetë e muhabeteve, këngëve, gështenjave që piqeshin në mangall dhe e qyfyreve. Nuk bëheshin bilance të sukseseve, por thjesht jetohej duke ngrënë mirë dhe duke u lodhur më pak. Zahiretë e dimrit tashmë ishin vënë dhe qilarët ishin të mbushur me kadet e gjalpit, djathit, ullinjve, armesë dhe me të tjera prodhime të domosdoshme për dimrin. Mbi të gjitha ishte pastërmaja, që varionte nga dy kufoma cjapi e deri në një këmbë dhie, në varësi të madhësisë të familjes dhe të “kamjes”.

Mes korçarëve që e shijonin jetën e dimrit shquhej Thimaqi i Cales, që sa binte dëbora e parë në fund të nëntorit, hynte në shtëpi dhe dilte për Ditën e Verës. Nuk bënte këmbë jashtë, por mblidhte në shtëpi shokë dhe miq dhe shtroheshin me të ngrëna dhe të pira, si dhe losnin me “kartra”. Thimaqi me familjen rrinte në ndërtesa mbi Mësonjtoren e Parë Shqipe, gjë që e bënte më të lehtë për të njohurit e tij ta vizitonin dhe të kalonin orët e dimrit me meselera. (Diçka të tillë duket që preferojnë edhe tani të bëjnë gjatë fundjavëve “të kamurit” e Tiranës në Korçë.)

Jeta e qetë, pa shumë shqetësime borxhesh, falimentimesh, karrierash politike, intriga zyrash dhe që niste në mëngjes me petka të mbuluara nga gjalpi i djegur dhe vazhdonte me sallata turshish, qofte Korçe dhe pastërma me fasule vazhdoi deri sa hyri Partia dhe nisën bilancet vjetore dhe ato të pesëvjeçarëve.

Të mobilizuar, si një trup i vetëm, me idealin në mendje dhe në zemër, prindërit tanë dhe pas tyre ne, e shkundëm “jetën e thjeshtë të dimrit të Korçës” dhe i futëm ritmin revolucionar me tymin e oxhaqeve, gumëzhimin e tornove dhe trokçllitjet e tezgjahëve. Realizuam planet 105%, 118% dhe deri në shumë më shumë përqind, madje disa punonin për vitin 2024 dhe deri për vitin 2065. Ngutja për të arritur në shekujt e ardhshëm bëri të harronim të jetonim dhe çuditërisht na la edhe fukarenj.

Tani ju kthyhem trahanasë, turshive, lakrorëve me dy petë, pastërmasë, roshnicave dhe preshëve të Belortasë. Nuk luajmë kaq shumë me “kartra” se jemi përqëndruar në bastet e futbollit dhe në makinat elektronike. Jeta nuk është më si ajo e 100 vjetëve më parë, se në atë kohë Thimaqit të Cales nuk i binte ndërmend për Zogun e Parë, kurse tani duam s’duam do flasim për Ramën, Berishën dhe Peleshin. Pasi kemi pirë nga një dopio raki kumbulle të Dardhës, ju futim edhe një të sharë me rrënjë dhe degë!

No comments:

Post a Comment