Tuesday, 14 December 2021

Y.K. dhe J.D.


Y.K. dhe J.D. janë dy gra që nuk njihen me njëra tjetrën, të cilat i lidh vetëm Shqipëria. Y.K. është AOUSA në Tiranë, ndërsa J.D. është SSHGPSHD dhe banon diku jo më larg se 90 minuta me makinë prej vendit ku jetoj unë. Y.K. ka gjasa të jetë më e madhe në moshë se J.D., por mosha, raca, kombësia dhe orientimi seksual nuk ka aspak të bëjë me inteligjencën ndaj dhe nuk po i përmend. Shkollimi deri diku po.

Y.K. është shkolluar në Universitetin e Pensilvenias dhe në atë të Kembrixh, të dy universitete, që hyjnë në 50 më të mirët në botë, ndërsa J.D. duhet të ketë mbaruar Universitetin e Tiranës, të Elbasanit ose të Durrësit. (Përtova të kërkoja gjatë në internet sepse u “pataksa” nga niveli i lartë i inteligjencës së J.D.)

Nuk di nëse Y.K. ka shkruar ndonjë rrjesht për J.D., por esse-ja e J.D. që lexova dhe bënte fjalë për ambasadorët në përgjithësi dhe veçanërisht për Y.K. ishte me të vërtetë mbresëlënëse.

J.D. spjegonte për publikun shqiptar (dhe më gjërë) se ambasadorët nuk janë gjë tjetër veç disa “palo nëpunës”, që merren me ca shkresurina dhe intriga të vogla në interes të vendit të tyre. (Nuk po jap të plotë përcaktimin gjenial të autores për t’i bërë lexuesit e këtyre rrjeshtave më kureshtarë të lexojnë origjinalin.)

Ndërsa më në hollësi për Y.K. e portretizonte si një blogere, e cila nuk promovon vende turistike, shampo apo të brendëshme seksi, por promovon veten me ndërhyrjet vend e pa vend në punët e një shteti sovran dhe të pavarur. Vetë titulli i esse ishte dika si punë “ambasdorë mejhanesh”. Të eksitonte, të krijonte bindje në vetvete, të rriste ndjenjën e barazisë intelektuale, sepse më parë jam ndjerë shumë inferior ndaj të diplomuarve në Harvard apo në Kembrixh, por pasi lexova idetë gjeniale të gazetares J.D., që është edhe kryeredaktore e një portali shumë të dëgjuar atëhere i thashë me mendje Y.K.-së:

“Ikë pirdhu edhe ti se të kam respektuar më shumë se sa duhet, se qënke askushi dhe kërkushi ndaj mos na shit shumë dëngla, se të demaskoi brilantja jonë J.D.!”

U ndjeva i lehtësuar, superior dhe mirënjohës ndaj gazetares inteligjente dhe sypatrembur. Nuk e kanë zgjedhur më kot Sekretare të Shoqatës të Gazetarëve Profesionistë të Diasporës. Merre me mend se ç’gjenij të tjerë duhet të jenë në kryesinë e Shoqatës.

Faleminderit J.D.!

No comments:

Post a Comment