Sunday, 2 January 2022

2 janar 1990


Në këtë datë u largua nga jeta babai im Andon Mara. Së shpejti do dalë nga shtypi një libër me biseda, të cilat pasqyrojnë pjesë të jetës së tij. Kanë qënë disa njerëz shumë të afërt, të cilët më kanë nxitur dhe ndihmuar për ta përfunduar librin në prag të 100 vjetorit të lindjes. Eshtë shumë pak t’ju them vetëm faleminderit.

Disa pjesë të librit, në formë “bruto”, i kam postuar herë herë në blog. Disa janë korrigjuar dhe disa të tjera nuk janë përfshirë në variantin përfundimtar. Më poshtë po ve një pjesëz të shkëputur prej kapitullit “Kor]a”.

Unë: Si tu duk Korça në vitin 1937, kur erdhe për herë të parë?

Ai: Në prill të vitit 1937 unë isha 15 vjeç dhe kisha jetuar vetëm në Stamboll, në një lagje të mirë të tij. Edhe pse kisha dëgjuar fjalë të mira për qytetin nga të afërmit, që kishin ardhur në Stamboll më vonë se ne, por dhe nga im vëlla, Korça nuk kishte se si të më dukej ndryshe veç si një fshat i madh i sistemuar mirë. Deri në Selanik patëm udhëtuar me tren bashkë me mamanë, se babai kishte ardhur dy muaj më parë. Në stacionin e trenit na priti Nesti dhe në një makinë ngarkuam gjithë baullet që kishim marë me vete. Kishim edhe disa arka me qelqurina dhe pjata porcelani, që i kishim mbështjellë me gazeta për të mos u thyer, së bashku me tim kushëri Spiro Topuzin. Kur i hapëm në Korçë shumica ishin të thyera.

Hymë në qytet nga rruga e Follorinës dhe deri në Fusha e Sportit, atje ku fillonte bulevardi “Zogu i Parë” kishte vetëm fusha të mbjella. Përgjatë bulevardit kishte tek-tuk shtëpi të ndërtuara mirë dhe të rrethuara me kangjella hekuri, si dhe me kollona guri, që ishin të ndryshme nga shumica e shtëpive dy-tre katëshe të Stambollit. Ndërtimi i parë i lartë që më zuri syri ishte Kisha e Shën Sotirit, gjysëm e shkatëruar nga tërmeti dhe kinema “Majestik”. Kjo ishte përshtypja e pasdites së parë, në qytetin ku do kaloja më të shumtën e jetës.

Unë: Duhet të ishe i gëzuar, se u bashkuat si familje dhe takove babanë, nga i cili nuk ishe ndarë kurrë?

Ai: Ashtu është. Takova edhe gjyshen nga mamaja dhe dajllarët, të cilët i kisha parë vetëm në fotografi, por për ta më fliste shpesh mamaja. U mblodhëm shumë vetë për të jetuar përkohësisht në një shtëpi jo të madhe. Më bënte përshtypje, që dhomat nuk kishin ngrohje dhe për më tepër banjoja ishte jashtë, në fund të oborrit. Nuk kishte ujë brenda shtëpisë, por duhet të mbushje në oborr, me një mekanizëm metalik, që quhej tullumb*, gjë që e shihja për herë të parë. Ishte mënyra më e përparuar për të nxjerrë ujë nga pusi i shtëpisë. Kështu ishte thuajse në të gjitha shtëpitë e Korçës të atyre viteve. Dalëngadalë fillova të mësohesha me kushte të tjera dhe të lahesha jo në vaskë, po në një govatë të madhe ku ujin e ngrohtë e hidhnim në trup me një sapllak.

Në Korçë bënte pak më ftohtë se në Stamboll, por ajri ishte shumë i pastër dhe dëgjoheshin që në mëngjes cicërimat e zogjve. Ishim shumë pranë kodrës të Shën Thanasit, në kishën e të cilës nisa të vija shpesh. Në shtëpi isha më i vogli, se përveç babait dhe gjyshes, që i kishin kaluar të gjashtëdhjetat edhe vëllezërit e mamasë ishin mesoburra dhe gratë e tyre mbi të tridhjetat.

 

 

No comments:

Post a Comment