Monday, 12 March 2018

Optimizmi i VIP-ave nga Korça

Korça i ka dhënë Kombit (kuptohet edhe kryeqytetit) një numur të madh mendjesh të vlera, që po t’i zesh e t’i numurosh, ndoshta janë po aq sa i kanë dhënë gjithë qytetet e tjera sëbashku. Ndoshta, nga që një pjesë e mirë e tyre, kanë qënë të shkencave të sakta, të mençurit nga Korça, që kanë shkëlqyer në fushat e tyre, kanë qënë të përmbajtur, deri diku edhe skeptikë edhe për ato, që njihnin mirë. Mund të përmend këtu Fundot e hershëm të matematikës, Kuneshkat, vëllezërit Pilika, dhe të mëvonshmit Mishel Fundo, Petraq Kolevica, Aleko Minga, Fejzi Kolaneci dhe deri tek Grigor Joti.
Brezi i VIP-ave korçarë të tranzicionit, duket që ka një ndryshim cilësor nga brezat e mëparshëm. Më duket se pa frikë mund ta përgjithësoj si brezi i VIP-ave të sigurt dhe optimistë. Nuk di nëse kjo rrjedh nga formimi i tyre kryesisht në periudhën e tranzicionit, nga kontakti me një sasi shumë të madhe dijesh, apo me euforinë që sjell liria. Nëse ne do ishim një vend normal europian, tre shembujt ,që do paraqes më poshtë i përkasin gjeneratës X, sepse janë lindur në vitet e pas “baby boomers”, por “thyerja” e normalitetit për shkak të diktaturës, më bën të mos jem i sigurt në përkatësinë e tyre breznore.
Interesante është se të tre kanë studiuar në fakultete të inxhinierisë, janë marrë me politikë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Më pak i njohur është inxhinieri markshajdër Alfred Cako, që njihet gjithashtu si botues, përkthyes, astrolog dhe publiçist. Cako ka qënë edhe për një ose më shumë legjislatura, deputet i të Djathtes.
Cakon mund ta quajmë pa frikë, dijetar në fushën më të thellë të dijeve, që përfshin lëmet e parapsikologjisë, astrofizikës jotradicionale, astrologjisë, teorive komplotiste në histori dhe politikë, teorive komplotiste në marëdhëniet ndërhyjore etj.
Njohuritë e thella i kanë dhënë një siguri dhe optimizëm për të hyrë në debate edhe për nocione bazë të shkencave, historisë dhe politikës. Pa mëdyshje, Alfred Cako është në gjendje të debatojë me këdo dhe të argumentojë se : “toka është e sheshtë“; “hëna është një satelit artificial i tokës, i hedhur nga alienët në kohën e Përmbytjes së Madhe”; “jaudinjtë (çifutët) po komplotojnë me aziatikët e tjerë për t’i dhënë fund sundimit mijëvjeçar të racës së bardhë“; “dielli është shumë herë më i vogël se sa thuhet në libra”; “bankierët e Tokës ju dërgojnë arin e Tokës, alienëve në hënë“ dhe të tjera të këtij rangu.
Të njëjtin fakultet, atë të Gjeologji – Minierave, ka mbaruar gazetari, historiani, autori, analisti dhe specialisti i teorive komplotiste në histori dhe politikë, Kastriot Myftaraj.
I specializuar kryesisht në historinë e organizatave të fshehta, shërbimeve shtetërore sekrete, në gjenealogji dhe interpretim të qartë të ngjarjeve të turbullta, Myftaraj është sulmuar fizikisht nga shumë njerëz, të cilëve ju ka nxjerrë “të palarat”. Duhet thënë se Myftaraj i ka fituar edhe të gjitha gjyqet, në të cilat e kanë hedhur “të dëmtuarit për prishje imazhi, ose për shpifje”.
Në pohimet e sigurta të Myftarajt, një vend të madh zenë masonët, “Protokolli i Zionit”, Xhorxh Soros, KGB-ja dhe UDB-ja, si dhe gjithë shërbimet e fshehta dhe organizatat e fshehta, që kanë ekzistuar ose jo.
Ndër deklaratat më optimiste dhe dritëhedhëse kanë qënë : “Erion Veliaj është djali ilegal i ish-Presidentit Iranian Ahmanedinixhad”; “Vuçiç i ka dhënë Ramës një video ku tregohet Basha në një marëdhënie seksuale me një zyrtar hollandez, gjë që solli edhe marëveshjen e 18 majit”; “ Kristaq Rama është djali ilegal i Ahmet Zogut”; “Sorosi po gërmon gjithë rregjistrat e Mesjetës në Shqipëri, për të gjetur pasardhësit e familjeve çifutë, që t’i vendosë në udhëheqje të vendit”.
 Por siguria dhe optimizmi i dy të parëve, nuk ka të krahasuar me euforinë këmbëngulëse të politikanit, biznesmenit dhe autorit Niko Peleshi. I diplomuar për inxhinieri elektronike dhe njohës i thellë i teknologjive të avancuara, Peleshi ka dëshmuar vullnet të hekurt në studimet rreth bizneseve dhe rolit të tyre në gjeopolitikë, rilindjes urbane të qyteteteve dhe konceptimit të vendbanimeve në të ardhmen dhe më së fundi, në rolin e Ministrit të Bujqësisë, është edhe ideatori i teorisë nacionalisto-kulinare “Ne jemi ajo që hamë - të hamë prodhime shqiptare për të qënë shqiptarë të vërtetë“.
Në kontributet më të mëdha të tij në fushën e mendimit bashkëkohor mund të përmendim: “Elitat e reja që do sundojnë botën, do jenë ato që nuk do flasin politikisht korrekt”; “Nuk ka pse të bëjmë koalicion me krerët e partive, kur mund të bëjmë drejtpërsëdrejti me rritësit e dhive”;”Kur ju kalon shock of the news, njerëzit bëhen më të kulturuar”; Të dëmtojmë blegtorinë e vendeve fqinjë, duke ju blerë sa më shumë bagëti të therrura”; “Rilindja rurale është e njëjtë me Rilindjen urbane, veçse përdoret më pak beton”.
Ndaj edhe ne korçarët, jo vetëm që duhet të krenohemi me përfaqësuesit më të shquar të Gjeneratës X, por edhe duhet të na përfshijë sadopak optimizmi dhe siguria e tyre.

Vetëm në këtë mënyrë mund të luftojmë nihilizmin, pesimizmin, cinizmin, “kondrallëkun” dhe gjithë cilësitë e tjera, që nuk na lenë të ecim përpara me shpejtësinë e VIP-ave tanë.

3 comments:

  1. Do sdo ti vlla Niko Peleshi eshte korcari me I shquar I shek. 21-te(nuk dime se mund te dale dikush tjeter). Ironia jote e sforcuar nuk krahason dot dy "sharlatane" si Cako dhe Kaci me Nikon I cili eshte komplet tjeter teme. Mos e ler mllefin dhe pamundesine tende per tu bere protagonist qe te te bashkoje me Kazanin ose Makinen e Baltes. Come to earth my friend...

    ReplyDelete
  2. Nuk e ve ne dyshim. Prandaj edhe kam shkruar se optimizmi dhe vullneti i tij i hekurt e ngre mbi dy korcaret e tjere, te cilet me duket e nxituar t'i cilesoj si sharlatane.

    ReplyDelete
  3. As une se ve me dyshim qe keto ironite malinje korcaret I kapin shpejt...mire o te keqen lali

    ReplyDelete