Monday, 5 March 2018

65 vjetor i kaluar në heshtje

Në këtë vit të përkujtimit të Skënderbeut, është harruar qëllimisht ose jo, përvjetori i një ngjarje, që solli mitingun më të madh, që ka parë sheshi Skënderbej. (Ndoshta edhe sheshi nuk e kishe marre atë emër, se në vendin që sot ndodhet monumenti i Skënderbeut ishte shtatorja e Stalinit.)
65 vite më parë, për të mirën e popujve të shtypur nën regjimet komuniste, u largua nga jeta Stalini. Nuk kishte qytet të Shqipërisë pa shtatoren ose bustin e tij, ndoshta më shumë se në çdo vend satelit të Bashkimit Sovjetik. Kuçova, gjithashtu quhej Qyteti Stalin jashtë çdo tradite shqiptare të emërimit të vendbanimeve. Në Shqipëri edhe fshatrat , që mbanin emra shenjtorësh kanë qënë shumë të pakta, kurse me emra personazhesh të historisë moderne nuk ka pasur asnjë.
Për ata, që kanë qënë të pranishëm në mitingun funebër, në ditën e varrosjes së Stalinit, ka qënë një nga ngjarjet më absurde, që ka parë Shqipëria. Atmosfera e përzishme i kalonte të gjitha llojet e ceremonive funebër jo vetëm , që kishte parë Tirana, por ndoshta e gjithë Europa jugore shekullit të XX-të. I tejkalonte varrimet e papëve, të diktatorëve, të artistëve të mëdhenj, të njerëzve më të lavdishëm të një kombi. Ndoshta në trevat tona, që në kohën e Kolerave të mëdha të Mesjetës, nuk ishte parë një pikëllim aq i gjithësishëm.
Kryeaktori i mitingut tragjik, Enver Hoxha, që i detyrohej Stalinit për konsolidimin e tij në pushtet, shtirej tërësisht i pikëlluar.
Pas mbajtjes së fjalës, ra në gjunjë para monumentiti të Stalinit, sikundër nuk kishte rënë kurrë në gjunjë sepse ishte jo vetëm i pafe, por edhe i paskrupullt.
Nën shembullin e tij, në gjunjë ranë aparatçikët e tjerë dhe vala e gjunjëzimit u përcoll në gjithë sheshin, sa krijoi një konfuzion, që bëri të gajaseshin shumë të rinj. Një pjesë e tyre e paguan me burg atë të qeshur.
Tani, të gjithë diktatorucët, i shmangen figurës së Stalinit, një pjesë, se nuk dinë tamam se ç’ka qënë dhe një pjesë për të qënë “politikisht korrekt”. Por si e pranonte edhe vetë Josif Visarianoviçi, Stalini nuk ishte njeriu, por ishte Mithi i krijuar. Ndaj edhe nëse nuk e zenë në gojë, simpatizuesit e sotëm shqiptarë të Putinit, Hoxhës dhe Shehut, janë edhe simpatizues të Stalinit, modelit të parë të Babait të Kombit, Punëtorëve dhe Internacionalizmit Proletar.

Në Tepelenë, një vasal idiot, porositi dhe realizoi një pikturë murale të Edi Ramës. Të tjerë, më pak idiotë, kanë zellin t’i ngrenë monumente së gjalli. E dinë që turmat kanë nevojë për mite. Si miti i Baba Stalinit, që pak dinte se ç’ishte Shqipëria dhe nuk kishte shkelur kurrë në këtë vend.

No comments:

Post a Comment