Donald Trump i fitoi zgjedhjet në Amerikë duke folur kundër
“the establishment” në Uashington. “Thaj moçalin”(Drain the swamp) ishte një
nga parrullat e tij kryesore gjatë fushatës. Miliarderi, njohës i mirë i
mentalitetit të njerëzve në periudhën e “reality shows” e ndjente se kjo ishte
mënyra më e mirë për të fituar.
Njerëzit urrejnë politikën mashtruese të “the
establishment”. Jo rastësisht, popullariteti i Kongresit dhe Senatit amerikan
nuk i kalon 12%.
Trump fitoi edhe pse gjatë fushatës kishte kundër një pjesë
jo të vogël të senatorëve republikanë si dhe të grupeve të fuqishëm financiarë,
që i dhurojnë vazhdimisht fonde Partisë Republikane. Pjesa më e madhe e “the
establishment”ishte kundër tij, por njerëzit votuan për të, pikërisht për këtë
arsye.
Gjatë periudhës së “mbretërimit” të tij si President, dy gjëra
janë shumë më të ndryshme nga ato të fushatë. Trump nuk e “thau moçalin” dhe
pjesa republikane e “the establishment” është tashmë e gjitha në mbështetje të
tij.
Viti i parë i Presidentit, gjykuar nga rritja e ekonomisë
dhe ngritja e paparë e bursave ka qënë mëse i suksesshëm. Gjithashtu
administratës së re amerikane i takon suksesi në shpartallimin e ISIS . Trump mund të quhet pa hezituar “Fitimtar”. Kjo ka
bërë, që republikanët të gëlltisin gjithë ato, që thanë kundër tij në fushatë,
bile edhe ta mbështetin në çështje, që kanë qënë “tabu” për ta, si sulmet ndaj
FBI-së.
E djathta, sidomos ajo më konservatore, ka qënë gjithnjë flamurtare
e mbrojtjes së Pentagonit, FBI-së, CIA-s edhe kur ka patur shkelje të hapura të
të drejtave të njeriut. Ndërsa së fundmi, FBI- a dhe agjensitë e tjera të
inteligjencës dhe rendit, po sulmohen si pjesë të “shtetit hije”, që tenton të
rrëzojë Trump-in. Dhe menjëherë, pjesa republikane e Kongresit amerikan, nxitoi
ta përqafonte këtë ide. Memo-ja e komisionit të inteligjencës të Kongresit, e përgatitur
dhe firmosur vetëm nga republikanët, i kundërviheshe metodave të FBI-së për të
siguruar autorizim për përgjimet e shtetasve amerikane. Në mënyrë qesharake, demokratët,
që kanë kritikuar gjithnjë shkeljen e lirive dhe “privacy” nga ana e FBI-së, këtë
rradhë ishin në krah të saj. Një standart i dyfishtë, që sa vjen dhe bëhet më i
pranishëm në Uashington.
Në mënyrë të ngjashme, dje, pas lajmit se u pusha nga puna
dy ditë para daljes në pension, të ish-nëndrejtorit të FBI-së McCabe,
entusiazmi i pajustifikuar i konservatorëve u përball me mbrojtjen marroke të
liberalëve.
Andrew Mc Cabe, anëtar i Partisë Republikane (registered republican),
ishte sulmuar vazhdimisht nga Trump, si “bashkëkomplotist” i ish-drejtorit
Comey, për të “rrëzuar” Presidentin me anë të një hetimi për lidhjet e tij me
Rusinë. Para dy muajsh u ul në detyrë dhe
tani, me aktin e pushimit nga puna humb edhe të drejtën e një pensioni të mirë.
Edhe pse me një karrierë të panjollosur në FBI, McCabe
kishte bërë vjet disa gabime, që nuk lidheshin drejtpërdrejt me çështjen e
Rusisë dhe pas një kontrolli të brendshëm nga Ministria e Drejtësisë, ai u gjet
në shkelje të kodit të FBI-së. Por zyra që ka kryer hetimet për Mc Cabe është
Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, e njohur për
integritet dhe paanësi. Të gjithë vrojtuesit e paanshëm kanë deklaruar, që Mc Cabe
ka gabuar dhe masat e marra ndaj tij nuk janë anormale dhe nuk ka vend as për
ta quajtur si “fitore të Demokracisë“, si e quan Trump dhe as për t’i quajtur
si politikisht të motivuara, si bëjnë Demokratët.
Polarizimi në ekstrem i politikës amerikane dhe mbështetja e
pakufizuar , që po i jep Trump-it, pjesa republikane e “the establishment” mund
të sjellë rritjen e lëvizjeve populiste edhe në Shtetet e Bashkuara.
Duket, që institucionet nuk funksionojnë më si në vitin
1973, kur republikanët, që zotëronin Kongresin, e detyruan Niksonin të jepte
dorëheqjen. Trump-it po i falen dita ditës të gjitha mëkatet, që nisen nga
konflikti i interesit, mosdeklarimi i taksave, nepotizmi në Shrëpinë e Bardhë
dhe deri në mbylljet e skandaleve seksuale duke paguar para.
Forcimi i ekonomisë bën që të mbyllen sytë ndaj dobësimit të
institucioneve.
Deri kur?
Ndoshta ndërpritet para se të nisë kriza ekonomike e
rradhës.
No comments:
Post a Comment