Unë hyj në korçarët, që kisha pezm, që nuk kishim det. Ose të
paktën gjol. Kënaqeshim në behar duke u larë në pishinë, ku nuk ishte edhe aq e
lehtë të gjeje billetë, ose do kuturisnim në ndonjë “hauzkë“ nga fshatrat e rrëzës.
Kabinat e plazhit nuk ishte kollaj t’i gjeje dhe po të ishe me fat, ato qenë
pushime vetëm për 15 ditë, ku shumica e fëmijëve nga Korça mbeteshin në ujë, që
nga mëngjesi deri në perëndimet e bukura të diellit. Pasojat ishin të njohura-
ftohje dhe të prera barku, po të paktën arrinim të mësonim pak not të stileve “krol”
dhe “bretkocë“.
“Ah sikur të kishim edhe det!” ishte shprehja jonë e preferuar,
kur mburreshim për klimën, bukurinë dhe pastërtinë e qytetit tonë. Po nuk është e thënë t’i kesh të gjitha!
Kishim atletë të vrapimeve të gjata, po nuk kishim notarë;
kishim slita nëpër qilare, po nuk kishim varka; dinim si të gatuanim lepur të
egër të mbyllur, po nuk ja kishim idenë e oktapodhit; dinim të gjuanim me topa
dëbore, por nuk ja theshim për tu zhytyr pingulthi nga gurët e detit në ujë;
dinim të bënim qilima, por jo si të thurrnim rrjeta e kështu me rradhë.
Sot, për herë të parë në jetën time, u gëzova, që nuk kemi
det.
Lexova online, që kanë arrestuar kryebashkiakun e Lezhës dhe
një tabor me nëpunës, se kanë falsifikuar pronësitë e tokave në breg të detit.
Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në Bashkinë e Rrogozhonës, Kavajës dhe
padyshim në atë të Laçit, Fierit, Vlorës, Sarandës dhe çdo bashkie tjetër me
dalje në det. Se detin e duan të gjithë!
Një ditë, kur të kthjellohet deti dhe kartat e pronësive, do
ketë të tjera arreestime në gjithë administratat, që kanë lidhje me vijën
bregdetare.
C’farë tmerri do ishte për ne po të kishim një vijë të tillë!
Prangat do binin mbi Raqkën e Filove, ose mbi Nikon e Peleshëve,
ose mbi Bertin nga Dardha, ose mbi Gjergjin nga Kolonja, se është shumë e vështirë
t’i rezistosh tundimit të ranishteve, ku mund të “tezaresh” pa e vrarë mendjen,
ndërsa dielli të pëkëdhel lëkurën dhe zhvillon disa procese kimike, që lidhen
me vitaminën D dhe komponentë të tjerë, dhe që të bëjnë më brun, më të fortë
dhe më të bukur.
Sa mirë, që nuk kemi det!
Magjija e tij nuk ka të bëjë as me lakminë për të fituar
para, as me dëshirën për të pasur puse nafte, as me ëndrrën për jahte. Ka të bëjë
vetëm me diellin, shëllërjen dhe të ngrohtët, që të hyn deri në palcën e
koskave. Sidomos pas një dimri të gjatë
si i Korçës (apo më keq akoma si ky i Kanadasë).
Deti do kishte marrë më qafë politikanë të karrierës (si
Balozi, që del
nga deti), topografë, arkitektë, mjekë të KEMP-it, aspirante për Miss
Bronxatura, kondradmiralë dhe këngëtarë serenatash. Të gjithë do kërkonin një “tapiçkë“
të vogël për “cazë det”.
Le t’i ngjitemi Moravës dhe të shohim kur ulet dielli mbi
Voskop!
Vërtet nuk kemi perëndime magjike, por edhe të gjithë
administratorët lokalë, të Djathtë dhe të Majtë, flenë të qetë në shtëpitë e
tyre, në breg të rrugëve që dikur ishin me kalldrëm nga të gurëve të lumit!
No comments:
Post a Comment