Tuesday, 6 March 2018

Një 7 mars ndryshe

40 vjet më parë, prisnim me padurim sa të iknin edhe 3 muajt e mbetur të shkollës. Pastaj provimet dhe një jetë prej të rriturish. Ishim në maturë. Ndoshta jo të gjithë mezi prisnin të mbaronte shkolla e mesme. Ato vite ishte shumë shumë e vështirë për të drejta studimi në univeristet dhe të pakët do ishin më fatlumët. Kuptohet ata pa njolla në biografi dhe që nuk ishin fëmijë të tretë, në një familje ku kishin studiuar apo studionin dy fëmijë më të rritur. Ndoshta po të vazhdonte edhe shumë vite ajo marrëzi, tek ne do ishte krijuar me siguri “sindroma e fëmijës të tretë“ tek adoleshentët ose edhe tek prindërit me dy fëmijë të vegjël. (“Të provojmë edhe një herë mos bëjmë djalë?”- “Pupupu,do studiojnë çupat dhe ai do mbetet pa shkollë. Ushtar dhe pastaj në fabrikë.” )
7 marsin do e festonim ndryshe atë vit, jo si zakonisht me disa buqeta me lule për mësuesen kujdestare. Na njoftuan se klasa jonë do shkonte në eskursion në Dardhë, bashkë me trupën pedagogjike për të festuar Festën e Mësuesit. Eskusionet në Dardhë ishin gjithnjë tërheqëse, se flinim një natë jashtë shtëpisë me bashkëmoshatarët dhe do bënim ca “marrëzira” që ndaloheshin, por edhe ishin të mundshe në atë kohë. Prania e mësuesve dhe drejtorit nuk e bënte aq interesante, por ishte  gjithsesi një fundjave ndryshe dhe të hënë mund të justifikoheshim , që ishim “fishek” sepse s’kishim patur kohë për të hapur librat.
Përgatitjet ishin si gjithmonë, kuti mishi dhe një shishe me pije alkolike në dyqan dhe ushqime nga shtëpia. Pa dyshim cigaret edhe për ata që nuk e pinin. Cdo gjë e ndaluar në shkollë duhej të provohej në eskursion.
Viti 1978, ishte viti i ABBA-ve, por për shkak të luftës kundër “shfaqjeve të huaja”, nuk mund të këndomim as këngët e tyre dhe as këngë të tjera të huaja. Në autobus(deri në fushën e dytë shkuam me autobus) ja morrëm si zakonisht këngëve të rrugëve, dhe për njërën prej tyre, na u tërhoq vërejtje nga drejtori se ishte shumë pesimiste. “Se vitet s’kthehen mbrapa/ Dhe ikin një nga një/ Se vajzat bëhen plaka/ Rinia moj nuk vjen më“ Sot kur e mendoj, më shumë se pesimiste ajo këngë ishte misogjeniste, se plakjen e shihte vetëm si një dukuri të seksit femër. Nuk di nëse edhe sot drejtori e di ç’është misogjenizmi.
Mësuesit nuk ishin të gjithë. Për fat të keq, nga ata që ishin, një pjesë e tyre janë larguar nga jeta para kohe.
Duket e çuditshme, por në atë eskursion mësova se edhe ata ishin si gjithë njerëzit e tjerë, me të mirat dhe dobësitë e tyre. Mësuesi serioz, pas katedrës, gjithmonë mbetet një krijesë autoritare, e madhe, e papërlyer. Edhe pse mund t’i kishim lejuar vetes ndonjë këmbim fjalësh me ta, mësuesit mbeteshin mësues dhe ne nxënësit e tyre.
Në eskursionin e Dardhës, pasi kishin ngrënë dhe kthyer nga një gotë në një dhomë të Kampit të Punëtorëve, ata u bashkuan me “mbrëmjen tonë të vallzimit” në hollin e të njëjtës ndërtesë. Ishin të gëzuar, me faqet, që ju skuqnin dhe me dëshirën për të dëfryer. Luajtën gjithë entusiazëm një “kadrillë“, që dukej qesharake për shkak të veshjeve të eskursionit, ku thuajse të gjithë ishin me çizme llastiku ose me këpucë zbori. Ndoshta është nga të paktat kadrilla të luajtura gjatë shekullit të kaluar me veshje gjysëm ushtarake dhe gjysëm civile të sajuara. Nuk mund të kishte as kapela me pendë, as vello dhe as dekoltera. Ishte një festë mësuesish dhe nxënësish në vendin më të varfër komunist të Europës.
Më pas, mësuesit u bënë një me partnerët e tyre dhe me nxënësit, ndërsa ne nxënësit ne druheshim prej tyre, ata, të çlirët, dëfrenin pa vrarë shumë mendjen se kush i shikonte.
Ne i shihnim me ngazëllim dhe me nënqeshje, se nuk i kishim parë aq të lirshëm më parë, ndërsa i vetmi, që dukej se nuk kishte vënë alkol në gojë, drejtori, vigjëlonte për të patur në kontroll festën dhe na shihte me një vështrim dinak sikur donte të theshte “ E mo i shikoni këta!”
Ndoshta nga ora tre e mëngjesit, të gjithë shkuan në dhomat e gjumit, të lodhur nga rruga dhe dëfrimi, dhe ne në fshehtësi ju nxorrëm fundin shisheve me verë, birrë dhe vodkë, që kishim marrë me vete.
Në mëngjes, pak si të trullosur, hymë në të vetmen kafene të Dardhës për të pirë ndonjë gjë të ngrohtë para se të merrnim rrugën e kthimit. Festa kishte mbaruar dhe i përkiste të kaluarës.
Në një tryezë, sa kishin zënë vend një grup mësuesish me gratë dhe bashkëshortët e tyre dhe i fejuari i një mësueseje, një djalë i sjellshëm dhe modest, ju sillej rrotull duke i pyetur se ç’do porositnin. Dikush porosiste kafe e dikush tjetër ndonjë gotë alkol e ndërsa pyeti edhe të fejuarën e tij të dashur se çdo merrte ajo ju përgjegj e sigurt “Dopio fërnet!” I fejuari i sjellshëm u step një çast dhe vazhdoi më pas drejt banakut për të porositur. Ne u pamë në sy duke menduar se edhe mësuesaj jonë e dinte teorinë, që “plumbi del me plumb”.
Orë më pas , të gjithë morëm të tatëpjetën e daljes nga Dardha në drejtim të Bigllës, me kujtimet e një 7 marsi pa lule dhe pa ligjerata rreth përkushtimit të mësuesve.
Kishte qënë një 7 marsi ndryshëm, me pak “kadrillë“, pak alkol dhe çifte të gëzuar, që kishin vallzuar nën ritmin e shpejtë të një orkestre fshati, që suksesin e maste me rrotullimet e vrullshme të kërcyesve, që shpesh herë përplaseshin me njëri tjetrin.

No comments:

Post a Comment