Ka shumë zhurrmë në shtypin tonë, rreth veprimtarive të
shoqatave LGBT nëpër shkolla dhe duket se fryma e përgjithshme është kundër “qëndrimit
politikisht korrekt” për këtë çështje. Flitet se po bëhet propagandë për të “shtuar
rradhët e homoseksualëve mes të rinjve”, gjë që mbase nuk mund të përjashtohet
plotësisht, se edhe në atë bashkësi (LGBT) ka hajvanë sa të duash, sikundër ka
në të gjitha bashkësitë shqiptare.
Shoqëria jonë, si e dalë më vonë nga izolimi se shoqëritë e
tjera, do ketë detyrimisht prapambetje në këtë drejtim. Unë mendoj se
prapambetja është e të dy palëve, dhe e “luftarakëve pro-gay” dhe më
shumë akoma e “luftarakëve anti-gay”.
Ka dy fakte shumë të rëndësishme në çështjen e
homoseksualitetit.
I pari është, që ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe të
gjithë shoqëritë njerëzore.
I dyti, është, që ende shkenca nuk e ka dhënë përfundimisht
përgjigjen se pse krijohet, sa përqind e popullsisë janë të tillë, sa ndikojnë
feja, kultura dhe zakonet, cili është roli i shoqërisë dhe i çoroditjeve
psikologjike etj. etj.
Ndaj është e mira, që të gjithë “të zjarrtët” të bëjnë një
hap pas dhe të përqëndrohen në atë, që është më e rëndësishme, se ; C’raporte
duhet të ketë shoqëria njerëzore me homoseksualët.
Duke e parë nga ana njerëzore, askujt nuk i lind e drejta, që
hapur të fyejë, persekutojë, heqë nga puna, diskriminojë njerëzit për shkak të
prirjeve seksuale. Dhe këtë nuk e them për të qënë politikisht korrekt, por se
e mendoj, sikur të jesh vetë në pozitat e një homoseksuali apo të një njeriu, që
ke në familje një të tillë.
Nuk ka gjë më të keqe
në këtë botë se përbuzja dhe përçmimi, sidomos ndaj adoleshentëve dhe të
rinjve.
Eshtë gati e njëjtë sikur t’i dënosh me vdekje ose burgim të
përjetshëm.
Nga kjo pikpamje, veprimtaritë e shoqatave (në këtë rast jo
vetëm të atyre LGBT), që sjellin solidarizim me adoleshentët e trembur, në prag
të vetvrasjeve, duhet inkurajuar dhe jo të luftohet.
Por në rast se flitet thjesht për dobitë e homoseksualizmit,
apo për sukseset e arritura gjatë historisë të njerëzimit nga homoseksualët, atëhere
kemi të bëjmë me një propagandaë bajate. Aq më keq është trumbetimi që ju bën
media njerëzve të botës së spektaklit për “ekseset” e jetës së tyre seksuale.
Njerëzit kanë një jetë të vetme. Për më tepër jeta e
individit i përket vetëm individit.
Të sulmosh, fyesh, përçmosh të tjerët është anakronike,
jonjerëzore, është mizore.
Të rinjtë, nuk ka nevojë as t’i qortosh, as t’i izolosh,
bile as t’i këshillosh kur nuk ta kërkojnë.
Duhet t’i kuptosh dhe t’i mbështetësh.
Por kjo kërkon mendje më të hapura, durim dhe një përmbysje
të psikologjisë patriarkale të shoqërisë sonë.
A gëzohemi kur mësojmë për një të njohur, apo për fëmijën e
tij se janë homoseksualë?
Më duket se nuk ka vend për t’u gëzuar apo hidhëruar.
Duhet konsideruar si një fakt i një bote që nuk e njohim përfundimisht
dhe kurrë nuk kemi për ta njohur.
No comments:
Post a Comment