Saturday, 24 March 2018

Atë e thërrisnin me dashakeqësi “Nuku”


Ai “nuku” e dinte, që vitet ’70 kishin kaluar prej thuajse 40 vjetësh. “Nuku” i thoshin se e përdorte shpesh këtë dialektalizëm, por edhe se “nuku” theshte shpesh PO, po qe se ‘nuku” kishte ndonjë interes të drejtpërdrejtë.
Ndoshta kishte edhe të drejtë. Në rininë e tij, i gjithë qyteti kishte shumë kufizime dhe kudo të shkoje të kërkoje një kile më shumë djathë, një shishe me qumësht të paskremuar, apo një pako me akrilik, në më të shumtën e rasteve shitësit do të përgjigjeshim me një “ncuq”. Ndaj dhe ai kthehej në shtëpi dhe theshte :“nuku” më dhanë!
Kjo edhe i krijoi adhurimin për sendet. “Një gjë që “nuku “ e kam, më mundon shumë deri sa e shtie në dorë.” theshte me vendosmëri.
“Nuku” i adhuronte vitet ’70 ndaj mbante ende favorita të gjata, që atë kohë quheshin edhe baseta, por që në horizontet e modës mashkullore, nuk kishin dhënë asnjë shenjë se mund të ktheheshin përsëri. Por, kishte diçka të modës së asaj kohe, që e urrente. Pantallonat me shtrat të shkurtër. Diçka duhet t’i kishte ndodhur, kur kishte veshur ato lloj pantallonash (në botën e lirë quheshin “feçkë elefandi” kurse në qytetin e “nukut” quheshin “kauboj”) që ishin tmerrësisht ngjitur pas trupit deri në gjunjët dhe më poshtë hapeshin si hinka. Ishte diçka nga shqepja e tyre në mollaqet, a mungesa e mashkave, apo xhepat e pakët ku nuk mund të fuste çelësat e shumtë , portofolin topolak dhe pusullat e dashurisë, që e bënin të mos vishte kurrë të tilla. A për shkak të disa lëvizjeve jo shumë të balancuara të trupit, ai e ndjente se duhej të mbronte qendrën e tij të gravitetit. Në mënyrë, që pingulja e hequr nga kjo qendër mos i binte kurrë jashtë bazës së mbështetjes dhe ai të rrëzohej me turp. Donte vetëm të ecte përpara, i sigurt në rrugën e kamjes. Prej asaj kohe mbante gjithnjë pantallona, që i arrinin diku më lart se diafragma, me të cilat ndjehej i mbrojtur, i ekuilibruar dhe tepër solid. Gojët e këqia( ata që ishin ndeshur shpesh me shprehjen e tij “Kjo nuku bëhet!”) theshin se kishte vështirësi për të gjetur zinxhir, për një shtrat aq të gjatë, ndaj përdorte zinxhira xhakaventosh, por dashamirësit e tij “nuku” e besojnë këtë thashethem urban, pasi menjëherë përgjigjen, që aim und të përdorë dymbëdhjetë kopsa pa patur nevojë për zinxhir.
Paska edhe dashamirës?
Po si “nuku” ka!
Tërësisht i izoluar dhe i mbetur në kontradiktën e tij të viteve ’70, “nuku “ do e kishte të lehtë të ishte i suksesshëm dhe i kamur.

No comments:

Post a Comment