Tuesday, 20 March 2018

Një zhigoloje gazmor


Ti ngazëllehesh nga suksesi
Nga shikimet e lëneshave
Nga dekoltetë që nuk fshehin dot fishkjen
Nga padurimi për atë që do,
I veshur shik,
Qimet pastruar deri thellë poreve,
Ti i gëzuari zhigolo.
Dhuratat që të bën një vejushë
Në argjendari i kthen
Varëse ble për një tjetër të ve,
Në fluturimin euforik
Të kësaj jete të lehtë,
Kryqyteteve dëfren
Me kokën në re.
Gazmori zhigolo,
Gjithë buzëqeshje,
Me të kënda fjalë,
Me sjelljet e përkora dhe të ditës veshje,
Ecjen kundër kohës
Askush s’mund të ta ndalë.
Ndaj nuk i trembesh plakjes,
As rrudhave nën sy,
Në lumturinë mashtruese
Të dashurive të pandjera,
Gjithnjë do ketë vend për ty,
I pashmi zhigolo
I lëneshave të mjera.

No comments:

Post a Comment