Hijet e shtyllave të drunjta
Bien mbi kalldrëmet e ëndrrave të mija
Përzjerë me fjalë të pathëna
Dhe grushta të padhënë,
Të pleksura me një dritë tmerrësisht të verdhë,
Ardhur poçash të mëdha jeshilë
Si sytë e vdekjes
Dhe jo nga hëna rënë.
Frika fshihet
Diku pas një avllie të bardhë,
Me veshët ngrehur më përgjon;
Provimet e pakaluara
Më rrinë lidhur këmbëve
Por më tepër se trishtimi
Turpi zgjat gishtat e përdredhur
Dhe shtrin poshtë të vetmen kanatiere
Lakuriqësinë për të mbuluar,
Qetësia është e papërshkueshme,
Tingëllon
Në shurdhësinë e saj të dëbuar
Prej gëzimit të ditëve
Të një të ardhme të shkuar.
Përse nuk mund të shoh lart
Dhe as poshtë sytë mund të ul?
Ndoshta gjithshka,
Në cipën që më mbështjell
Eshtë fotografuar;
Në të dritares pezul
Diçka prêt,
Si unë që pres të zbardhë
Dhe lumturisht të ngrohem
Ftohtësia vjen nga e gjithësishmja ndalje
Ngulitur në të papërcaktuarën pikë,
Ku gjithshka ka mardhë;
- Oh sa dua të zgjohem!
No comments:
Post a Comment