Saturday, 10 March 2018

Vendim i heshtur, që duhet përshëndetur

Bashkia Korçë, ose zyra të caktuara të Qeverisë, kanë vendosur, që ndërtimi “kubik” në oborrin e shtpisë të stilit rumuno-bizantin në qendër të Korçës, të mos realizohet.
Edhe pse nuk e di historinë e vërtetë të këtij “hapi pas”, që mund të jetë “rikthim i vetëdijes qytetare”, mungesë fondesh të plota, përkulje ndaj kritikave në mediat sociale apo “moskënaqësi e padishahut Rama” për projektin, më e rëndësishme se motivet është fakti, që një pjesë e vogël e qytetit, por ku rrahin disa rrugë kryesore, do mbetet si ka qënë.
Le të duartrokasim për vendimmarrësit dhe të shpresojmë se korrigjime të tjera të mundshme, do bëjnë edhe për gabime të tjera të kësaj natyre në qytet.
Në rradhë të parë, Bashkia (dhe ata më sipër se ajo) duhet të ndërpresë bashkëpunimin me arkitektin australian Pitë Uillsën (Peter Wilson) autor i disa projekteve shumë të dëmshme për qytetin. Po përmend këtu vetëm Kullën Vrojtuese, Bibliotekën e Re, Rikonstruksionin e Bibliotekës së Kolevicës dhe dy hotele investitorësh privatë, të detyruar nga Bashkia për t’i projektuar tek ky arkitekt.
Në projektet e tij ai dëshmonte ngutje, mungesë ndjeshmërie ndaj arkitekturës elegante ekzistuese të Korçës, përdorim vëllimesh dhe materialesh dizonante me ato tradicionalë.
Projekti, që nuk do ndërtohet i muzeut të Gjon Millit, ishte dëshmi e qartë.
Në qytet ka arkitektë me përvojë dhe të rinj të talentuar, që mund të mbajnë barrën e projektimit. Gjithashtu hapur duhen mbajtur dyert edhe për arkitektët nga Tirana, Kosova dhe shtetet e tjera europianë, por mbi të gjitha, pasi të jetë siguruar një garë e ndershme e konkurimit të aftësive dhe projekteve. Vetëm kështu kemi për të patur një qytet sa tradicional aq edhe modern.
Restaurimi dhe rifreskimi i ndërtesave të paraluftës duhet të jetë synimi kryesor i Bashkisë. Suksesi i rikonstruksionit të Pazarit (edhe pse me disa probleme të funksionimit) duhet të shtrihet edhe në zonat e tjera historike, por pa monopol projektuesish dhe pa abuzuar.
Korçën duhet ta mbrojmë të gjithë dhe në rradhë të parë ata, të cilët e administrojnë.

Ndaj edhe një herë, përgëzimet le të shkojnë për ata, të cilët në mënyrë të heshtur, pa fanfarë, kanë marrë këtë vendim të rëndësishëm.

No comments:

Post a Comment