Friday, 23 March 2018

Luçiana (pjese nga kreu 16 i "Klecka 22)


(vijim)

Come?”
“Subito, subito,”e ngacmoi ai pa të keq “Mami po prêt.”
“Si, si, Mamma.”
Josariani e la vajzën ta hiqte për dore mes asaj nate pranverore romane deri sa arritën në një qendër autobuzash që zhurrmonte nga buritë, vezullonte nga dritat e verdha dhe të kuqe, ushtonte nga sharrjet ungëruese të shoferëve të parrojtur, që i ndërseheshin njëri tjetrit, pasagjerëve, valixheve, këmbësorëve që ju zinin rrugën, të cilët nuk ja u varnin në fillim, por kur goditeshin nga parakolpot e autobusëve, ju ktheheshin me të njëjtat të shara, që të ngrinin përpjetë qimet e kokës. Luçiana hipi shpejt në një mikrobus të gjelbër dhe Josariani u kthye menjëherë në kabare të gjente bionden oksizhene me sy të perënduar dhe bluzë ngjyrë portokalli. Ajo dukej shumë e shtënë pas Arfit, ndaj Josariani i ishte përgjëruar për tezen e saj të lezetshme, a ndonjë shoqe, kushërirë, mama ose motër, po aq të lezetshme, të ndezur dhe me moral të dyshimtë. Ishte tamam një e tillë , që i duhej Josarianit. Një mëkatare gojështhurrur, ndezake, pa parime,  vulgare dhe epshndjellëse, për të cilën kishte thurrur shumë ëndrra për muaj të tërë. Biondeja oksizhene ishte për të përsosmëria.  Ajo kishte paguar vetë ato që kishte pirë, kishte makinën dhe apartamentin e saj dhe një unazë ngjyrë rozë, ku ishin gdhendur një çift lakuriq, unazë që e lojti nga mendtë Xhonë e Uritur. Xhoja shfrynte dhe ulërinte, binte në gjunjë dhe zvarritej, përgjërohej dhe lutej duke i ofruar gjithë paratë, që kishte, bile edhe aparatin e sofistikuar fotografik. Asaj nuk i bëhej vonë për para dhe aparate ftografike. Donte vetëm të ndërzehej.
Kur Josariani arriti në klub ajo kishte ikur. Kishin ikur të gjithë ndaj dhe ai doli menjëherë dhe i përhumbur u vërtit udhëve të zbrazura. Nuk ndjehej i vetmuar kur ishte vetëm, por ato çaste ishte i vetmuar në zilinë ndaj Arfit, që po dëfrehej në shtrat me femrën që ishte adapt për Josarianin, me të cilën mund të ngërtheheshin sa herë të donte, po qe se do donte, bile po t’i shkonte mendja mund të vinte edhe me njërën ose të dyja aristokratkat elegante, që jetonin në kat më lart se ai, dhe që ja lulëzonin fantazitë e tij seksuale, sa herë kishte të tilla. Ishin kontesha e pasur brune me buzët mishtore të kuqe dhe e reja e saj bukuroshe, brune dhe e pasur. Ndërsa i afrohej pallatit të oficerave ku banonte, Josariani e kuptoi se ishte i dashuruar me të gjitha. Me Luçianan, me qejflleshkën e dehur me bluzë të hapur në gjoks, me konteshën e pasur dhe të bukur, si dhe me të renë e saj të bukur dhe të pasur, por që të dyja këto të fundit nuk kishin për ta lënë kurrë t’i prekte apo të flirtonte me to.
Ato i përkëdheleshin si kotele Nejtllit dhe linin në pritje Arfin, por për Josarianin mendonin se ishte i lojtur dhe i largoheshin me përbuzje sa herë këmbeheshin në shkallët dhe ai ju bënte komplimenta ose ju propozonte gjëra të turpshme. Ishin dy krijesa të mrekullueshme me buzë të rrumbullta si kumbulla të bëra mirë, të ëmbla dhe me lëng ngjitës, nga ku dilnin herë herë dy gjuhë të tulta e majuce, që mund të zgjateshin thellë gojës së Josarianit. Ato kishin klas; ai e dinte që kishin, pavarësisht se nuk e saktësonte dot se ç’lloj, por ai nuk kishte klas dhe këtë gjë edhe ato e dinin.

(vijon)

No comments:

Post a Comment