Më lini të çlodhem në ngathësinë e reve
Në një ditë pa erë;
Në plluskimin e mendjes sime
Që prêt mëngjezin,
Me sytë e mbyllur
Dhe befasisht të hapur
Një herë,
Dy herë,
Tre
herë.
Të largëta janë betejat
Dhe klithmat tashmë shurrdhuar,
Qetësinë dua të mjel prej qiellit
Me lëvizje të kursyera të syve
Dhe jo me duar.
Era e squfurit po fashitet;
Një sumbull e kristaltë, e kripur,
Diku shkëputur,
Mbase thellë mendjes,
Më rrëshqet faqes.
Duhet ta fshih apo të pres të ngurtësohet
Këtë simbol të madhërishëm
Të stinës së Paqes?
No comments:
Post a Comment