Një libër, që të botohet në pak kopje dhe të kalojë dorë më
dorë, deri sa nga padurimi, nga lëpirja e gishtave për të ndruar faqen, nga
teshtirjet e të griposurve gjatë dimrit dhe nga nga shenjat me lyrë , që do lenë
amvisat, që një sy do e mbajnë nga tigani dhe një në faqet e tij, të kthehet në
një lloj tufe të lidhur pergamenësh, që të të kujtojë Aristotelin.
Materialin e kam gati.
Janë shënimet që kam mbajtur, kur gjyshi më tregonte se si e
kishte pare luftën ruso-turke (Harbi 93)me sytë e një fëmije arnaut. Ose pis arnaut.
Për luftën ruso-turke, në shqip nuk kanë shkruar as vëllezërit
Frashëri, as Foqion Postoli, as Kadareja, as Sabri Godoja, as Pëllumb Xhufi dhe
as Valentina Duka. Por edhe po të kishin shkruar nuk do kishin kujtimet
autentike të një fëmije shqiptar të pafajshëm, të paanshëm dhe krejt të
painteresuar në konflikt.
Se nuk mund të ketë më objektiv se syri i një fëmije. Mendja
nuk i është turbulluar ende nga komplotet, prapaskenat, dokumentat e firmuara
dhe ediktet, nga fermanët dhe promemoriet, nga traktatet e paqes dhe himnet
kombëtare.
Për më tepër, në trurin e fëmijës nuk janë future as metodat
e ngurta të studimit të historisë, me analizat e kushteve ekonomike –shoqërore,
gjeopolitikën, Rrugën e Mëndafshit, dinastinë e Romanovëve e të tjera si këto.
Syri i fëmijës nuk i sheh as bardhezi ngjarjet, se akoma nuk
ja kanë futur në kokë filtrat me armiq dhe miq, të mirë e të ligj, tanët dhe të
huajt. I shikon me të gjithë ngjyrat e feksura të ngjarjeve, bile edhe akoma më
të theksuara.
Ndaj kam një besim të papërshkruar në suksesin, që do ketë
libri.
Sidomos në këtë kohë, kur Perandoritë Otomane dhe Ruse janë ringjallur dhe
pasi të gëlltisin ca vende të vogla do i vërsulen sërish njëra tjetrës.
Vërtet përplasjet do ngjasojnë, por nuk do kenë larushaninë
magjike të bashibozukëve, uniformat e dragonëve, shpatat e tartarëve, dekoratat
në gjoksin e gjeneralit Dragomirov, artilerinë gjermane të otomanëve, si m’i ka
rrëfyer im gjysh.
Libri duhet shkruar sa më parë.
Ah sikur të kisha pak më shumë kohë të lirë!
No comments:
Post a Comment