Saturday, 31 March 2018

Eja të hamë si romakët e vjetër!


Eja të hamë si romakët e vjetër!
Në një shtrat të pamatë dëshirash,
Ku ushqimet e Mesdheut
Përzjehen me Fugën e Bahut,
Nektari që pimë
Nuk është gjë tjetër
Veç lëng rimash shtrydhur
Nga poezitë e Bodlerit
Kur hapat e lehta i ndjehen agut.
Mos u frigo për të bardhat shtroje
Nga fijet e ëndrrave të fëmijërisë thurrur,
Në brimëzat e tyre,
Si në të bletëve hoje,
Embëlsia e mbrëmjeve mpiksur
Nuk ka për të rrjedhur
E më pak akoma ka për të humbur.
Në të madhërishmit tinguj të organos
Këmbët magjishëm mund të luajmë në erë,
Vallzimi i jetës
Nuk ka gjithnjë nevojën e tokës,
Mbi të mund të luajmë
Kur hovi të bjerë,
Më prit në qoshen e shtratit të pamatë,
Ku qiejt bujarisht
S’kanë bërë gjë tjetër,
Veç bukuritë e jetës atje kanë shtruar
Që ne t’i shijojmë
Si romakët e vjetër.

No comments:

Post a Comment