Friday, 2 March 2018

Si “vritet” qyteti – II

Qyteti jeton edhe me shpirtin e vrarë. Më shumë se jetesë mund të quhet përpëlitje e megjithatë deri sa është në grahmat e fundit “legalisht” jeton.
Nga Korça, u larguan pas Luftës së Dytë, një pjesë jo e vogël e familjeve “të kamura”. Kishin humbur gjithshka, nga bizneset, florinjtë dhe deri tek shtëpitë-vila, por do përpiqeshin të mbijetonin. “Të kamurit” ishin “çifutët e Shqipërisë”, që për tu shpëtuar përndjekjes në qytetin e tyre, që administrohej nga “zanatçinjtë e Pazarit”, ikën në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe deri në Shkodër.
Më 1949-ën, pas prishjes me Jugosllavët, Korça u izolua edhe nga lidhjet e fundit tradicionale ato me Manastirin dhe Ohrin.
Qyteti që përpëlitej, me “perlat e tij arkitekturore”, që degradonin sepse ose përdoreshin si institucione, ose mbusheshin dinga me familje të pastreha. Kështu përfunduan dy banesat e vëllezërve Qiriaku(Komiteti i vjetër i partisë), ato të Frashërve (Muzeu i vjetër), të Kondilëve (Lokal “Valbona”), banesa e Koli Rrodhes, kompleksi i Filip Kotës, farmacia “Cekani” e dhjetra e dhjetra të tjera.
Edhe pse rritej popullsia e qytetit, ai degradonte. Në “migrimin” nga fshatrat e Korçës dhe të Kolonjës në vitet ’50 dhe ’60, të cilat bënë dyfishimin e popullsisë, u ndërtuan lagjet 9, 10 dhe 14, që të gjitha pa asnjë vlerë arkitekturore, veç mbajtjes së sistemit urbanistik hipodamik të trashëguar. Qyteti veç “bunavitej”, se asnjë vlerë nuk shtohej, veç uljes së vlerave të fituara deri në vitin 1944.
“Goditjet” ndaj Korçës në vitet ’60 dhe ’70 ishin “goditje” në zemrën e saj. Deri atë kohë, nga pikpamja urbanistike, qëndra nuk ishte prekur, përveç hapjes të sheshit para Teatrit – Bankës – Gastronomit. Ishte e para hapësirë në qytetin e ngjeshur dhe ishte parashikuar nga italianët, qysh në projektimin e Bankës. Në ato vite ishte thuajse periferia e qytetit. Ishte një hapje e nevojshme, që mbante një llogjikë zhvillimi hapësinor. Cuditërisht, në vend që sheshit ti jepej një formë rrethore ose eliptike, me synim evidentimin e tre objekteve më të rëndësishëm të asaj hapësire, Kishës së Shën Gjergjit, Teatrit dhe Bankës, ju dha një formë trapeze, duke shtuar dy tre vëllime horizontale, njëri nga të cilët mbulonte Katedralen e famshme të gurtë. Duket, që fati i Kishës ishte përcaktuar 10 vjet para vitit 1968. Ishte pjesë e planit të “vrasjes” së shpirtit të qytetit, për ta ndryshuar në një kompleks të madh banimi dhe pune të të barabartëve të varfër.
Sikur të mos ishte i mjaftë, ai gabim urbanistik i fundit të viteve ’50, në sheshin e parë mesatar (nuk mund ta quaj të madh) të Korçës, 50 vjet më vonë, u ndërmor një ndërhyrje urbanistike absurde, për të cilën është shkruar dhe debatuar shumë. Sheshi u copëzua, humbi lidhjen organike të këmbësorëve dhe mjeteve, duke u fragmentuar me shkallë. Një operacion urbanistik denatyrues dhe jashtë çdo llogjike të formulimit të një qyteti dyqindvjeçar.
Dikujt, Korça i dukej në vitin 2014 si qytet-vampir dhe për t’i humbur fuqinë, duhej t’i ngulte në zemër një pykë të drunjtë. Më pas, mund ta përdorte si të donte çdo pjesë të tij. Pasi ta kishte kripur e shitur në të gjithë ata, që dëshëronin nga një llokmë.
Tashmë qyteti nuk mund të ngrihej as natën.

No comments:

Post a Comment